Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga publikimi i listës së të grumbulluarve për ndeshjet vendimtare të marsit, sinjalet pozitive për Sylvinhon vijojnë të mbërrijnë nga Turqia.

Gjithçka lidhet me emrin e Ernest Muçit, gjithnjë e më shumë vendimtar për Trabzonsporin. Me golat dhe asistet e tij, futbollisti i formuar te Tirana mban në lojë skuadrën turke për dy trofe, titullin kampion dhe Kupën e Turqisë.

Së fundmi, 24-vjeçari asistoi në dy raste në fitoren 4-2 që Trabzonspori koleksionoi në transfertën e Basaksehir.

Pasimet magjike të Muçit kanë ndikuar shumë në shkallët hierarkike të skuadrës, për t’u kthyer në një titullar fiks. Në këtë sezon, fantazisti ka lënë gjurmë të mëdha te Trabzonspori, ku luan si i huazuar nga Beshiktash, ekip që në merkaton e janarit firmosi me mesfushorin shqiptar, Kristjan Asllanin.

Forma e jashtëzakonshme e tij në fushë ka bindur edhe drejtuesit turq për të blerë kartonin, por pengesë për momentin mbetet çmimi.

Me 10 gola në kampionat, 3 në Kupë dhe 7 asiste në total, Muçi e ka gjetur veten shpesh në formacionin ideal të javës në Superligën turke, ndërsa pret një ftesë për sfidën me Poloninë. Trajneri Sylvinho pritet t’i besojë cilësive të 24-vjeçarit për të thyer mbrojtjen rivale në rrugën drejt Kupës së Botës që do të mbahet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Klan News

/tvklan.al