Ernest Muçi është padyshim futbollisti më efektiv i Kombëtares shqiptare në këtë pikë të sezonit.
Sulmuesi po përjeton një moment fenomenal, teksa shënoi dhe asistoi në sfidën që Trabzonspor fitoi 3-0 kundër Fethiyesporit, e vlefshme për Kupën e Turqisë.
Pas disa sinjaleve nga distanca dhe një goli të anuluar për pozicion milimetrik jashtë loje, 24-vjeçari zhbllokoi takimin pas 69 minutash. Goditja e Muçit ishte e jashtëzakonshme, duke lënë të shtangur të gjithë.
Dhjetë minuta më pas, futbollisti i rritur te Tirana shërbeu asistin për golin e 3-0, duke vulosur një mbrëmje spektakolare.
“Sigurisht që jam i lumtur që gjërat po shkojnë mirë për mua dhe ekipin, që po fiton dhe po performon mirë. Ekipi është i mirë, kam besim te stafi dhe te të gjithë njerëzit përreth”, tha Muçi.
Ernest Muçi ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në tre raste, duke ndihmuar Trabzonsporin të ëndërrojë për tituj këtë sezon. Momentalisht, turqit kanë grumbulluar gjashtë pikë pas tre ndeshjeve të para në Kupë, ndërsa në kampionat renditen në vendin e tretë, me 7 pikë më pak se Galatasaraj.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
