Kjo që shihni në ekran është  vetëm një pjesë e bregdetit Adriatik në Durrës dhe Patok. Si pasojë e erozionit tokës i janë gllabëruar me dhjetëra metra.

Ky shqetësim i evidentuar prej kohësh nga Ministria e Mjedisit u përcoll gjatë publikimit të  një studimi për gjendjen e erozionit detar dhe përcaktimit të masave në mbrojtje ndaj tij, i bërë publik dhe në prani të kryeministrit Berisha.

Në 10 zonat e evidentuara është vënë re se vija bregdetare nga Narta deri në Deltën e Bunës  në Velipojë të Shkodrës rezultojnë të prekura nga ky fenomen me pasoja negative për tokën.

Për këtë arsye kryeministri Berisha ndërsa e cilësoi emergjente situatën në bregun e Adriatikut i kërkoi ministrave respektiv që të marrin masa konkrete në bllokimin e çdo veprimtarie kërcënuese nga shtretërit e lumenjve  si dhe pyllëzimin e vijës bregdetare.

Sali Berisha: “Është e domosdoshme në urgjencën më të madhe të bllokohet çdo veprimtari cenuese për shtretërit e lumenjve që nuk janë të paktë në këtë zonë. Sistemet e mbrojtjes jo vetëm që nuk ekzistojnë por janë instaluar sistemet e shkatërrimit ndaj dhe zotëri ministra të pezullohet çdo leje dhe çdo aktivitet në derdhje të lumenjve që ndikon negativisht  në problemin e erozionit. Është e domosdoshme që Ministria e Mjedisit të parashikojë me përparësi absolute pyllëzimin sa më intensiv të vijës bregdetare.”

Më tej kryeministri Berisha tha se pas publikimit të këtij studimi tashmë i takon qeverisë që ta kthejë atë në një program pune.

Këtu shefi i qeverisë theksoi rëndësinë e madhe që do të kishte ngritja e një institucioni të veçantë për mbrojtjen nga erozioni.

Studimi prej më shumë se 600 faqe që paraqet gjendjen e erozionit detar evidentoi gjithashtu dhe një sërë problematikash duke rekomanduar masat që mund ta parandalojnë atë.

Për specialistët e Universitetit të Gjeologjisë ndalim i derdhjeve të inerteve si dhe moslejimi i ndërtimeve në det duhet të shmangen në mënyrë që fenomeni të mos shtrihet më tej./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

/tvklan.al