Me një pamje ndryshe, kjo është foto e re e Ervin Matës, të arrestuar në Brazil, rreth 2 vite e gjysmë pas shpalljes në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës nga Amerika Latine në Europë.
39‑vjeçari u prangos më 25 prill, pas shkëmbimit të informacioneve të vazhdueshme mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve braziliane, pas dyshimeve se Mata fshihej atje. Në momentin e arrestimit, ai ka tentuar të fshehë identitetin e tij, duke u treguar oficerëve një pasaportë bullgare të falsifikuar, e cila kishte skaduar në vitin 2024.
Por pas marrjes së shenjave të gishtërinjve, autoritetet janë bindur se bëhej fjalë për 39‑vjeçarin, Ervin Mata. Po ashtu, atij i është gjetur një kartë identiteti paraguaiane, me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar, me emrin Christopher, gjithashtu e dyshuar si e falsifikuar.
Burime pranë policisë i thanë Tv Klan se Mata gjatë kësaj kohe dyshohet se është strehuar mes Paraguajit dhe Brazilit, ku edhe u arrestua. Për ekstradimin e tij në Shqipëri, Interpol Tirana ka nisur procedurat me autoritetet braziliane.
Emri i Ervin Matës doli në komunikimet e SKY, ku 39‑vjeçari së bashku me 10 persona të tjerë rezultuan të përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine. Konkretisht, SPAK dyshon se Mata ka koordinuar grupin për trafikimin e një ngarkese prej 250 kg kokaine të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, episod i ndodhur në fund të shtatorit të vitit 2020.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 