Euro vijon rënien e saj të lirë në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot një euro u këmbye me 93.28 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, ndërsa në tregun e lirë zbriti deri në 92.5 lekë.

Vetëm nga fillimi i këtij viti, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 3.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar humbja arrin në mbi 4%, duke konfirmuar se nuk kemi të bëjmë vetëm me një luhatje sezonale.

Në kulmin e sezonit turistik, mijëra turistë dhe emigrantë sjellin më shumë euro në ekonomi. Kjo rrit ofertën e valutës dhe ushtron presion mbi kursin, duke forcuar lekun. Historikisht, fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit janë periudha kur euro prek nivelet më të ulëta gjatë një viti.

Por fenomeni nuk shpjegohet vetëm me turizmin. Zhvlerësimi i euros është kthyer në një tendencë shumëvjeçare, ku krahas turizmit, mbështet edhe hyrja rekord e investimeve në pasuri të paluajtshme dhe përmirësimi i bilancit të pagesave.

Në të njëjtën kohë, edhe politika fiskale po ndikon në kurs. Sufiçiti buxhetor prej 52.8 miliardë lekësh në gjashtëmujorin e parë ka kufizuar qarkullimin e lekut në treg, duke i dhënë më shumë forcë monedhës vendase.

Për ekonominë, një euro më e dobët ul koston e importeve dhe ndihmon në frenimin e inflacionit. Por në kahun tjetër, dëmton eksportuesit, fasonerinë dhe familjet që marrin të ardhura nga emigrantët, pasi për të njëjtën shumë euro përfitojnë gjithnjë e më pak lekë.

/tvklan.al