Besimi në ekonominë shqiptare vijon të qëndrojë në territor pozitiv.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u ul me 1 pikë gjatë muajit korrik, por mbetet 5.4 pikë mbi mesataren afatgjatë, çka tregon se perceptimi i përgjithshëm për aktivitetin ekonomik vazhdon të jetë i favorshëm.

Rënia lidhet kryesisht me një korrigjim të besimit në ndërtim, tregti, shërbime dhe industri, pas niveleve të larta të muajve të mëparshëm.

Megjithatë, të katër sektorët vazhdojnë të qëndrojnë mbi mesataret e tyre historike, një sinjal se aktiviteti ekonomik ruan një bazë të qëndrueshme.

TREGUESI I BESIMIT NE EKONOMI

Ndjesia ekonomike (TNE)-1 pikë
Konsumatorët+2.2 pikë
Industria-0.8 pikë
Ndertimi-4.6 pikë
Sherbimet-2.4 pikë
Tregtia-3.2 pikë

Në kahun pozitiv, konsumatorët janë bërë më optimistë.

Besimi i tyre u rrit me 2.2 pikë përqindje, i mbështetur nga pritje më të mira për financat familjare, ekonominë e vendit dhe gatishmërinë për të kryer blerje të mëdha.

Njëkohësisht, pritjet për rritjen e çmimeve janë zbutur, duke reflektuar perceptim më të mirë për ecurinë e kostos së jetesës.

Në tërësi, vrojtimi tregon se ekonomia po kalon një fazë normalizimi pas ritmeve të forta të muajve të fundit.

Luhatjet mujore të besimit nuk ndryshojnë faktin se treguesit kryesorë vijojnë të mbeten mbi nivelet historike, duke sinjalizuar stabilitet dhe pritshmëri pozitive për aktivitetin ekonomik në vijim.

/tvklan.al