Në Romë termometri shënoi mbi 37 gradë Celcius, në Sevija 40 gradë, ndërsa qyteti më i nxehtë spanjoll ishte Merida, ku temperatura maksimale arriti në 41 gradë Celcius.

Spanja regjistroi muajin e kaluar temperaturën më të lartë në Europë, 47 gradë Celcius. Autoritetet vendase janë në gatishmëri totale dhe qytetarët janë këshilluar të shmangin punët fizike e të qëndrojnë larg diellit. Ndërsa në spitale gjendja shfaqet alarmante dhe numri i pacientëve të moshuar është rritur.

Franca po ashtu po përballet me valën e të nxehtit afrikan. Njerëz të shumtë të rritur e fëmijë e gjejnë freskinë te shatërvanet në qendrat e qyteteve. Meteoologët francezë paralajmërojnë se për shkak të ngrohjes globale, pas 30 vjetësh, vera e nxehtë me temperatura deri në 44 gradë, do të jetë diçka normale që do të përsëritet çdo dy vjet.

Edhe Zvicra, një vend malor dhe me temperatura të ulëta, po përballet me valën  e të nxehtit. Krahas qytetarëve, policia e Zyrihut kujdeset edhe për miqtë e njerëzve, duke u bërë thirrje pronarëve të qenve t’i mbathin me këpucë kafshët e tyre.

Tv Klan