Në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026 ndodhen 1 ekip nga Amerika e Jugut, 1 nga Afrika dhe 6 Europiane. Me një goditje të vetme u eliminuan të 3 përfaqësuesit e Amerikës së Veriut dhe sëbashku me Brazilin, Kolumbinë e Paraguajin, kontinenti amerikan humbi 85% të skuadrave të tij në turne.
Afrika arriti të mbajë në garë një nga dy përfaqësueset e saj, Marokun, ndërsa Europa humbi vetëm Portugalinë, që u mposht nga fqinjët spanjollë.
Në mijëvjeçarin e ri, vetëm dy herë të tjera Europa ka arritur të ketë kaq shumë skuadra në çerekfinale. Në vitin 2006, kur Italia fitoi titullin botëror dhe në vitin 2018, kur triumfoi Franca.
Europa do të ketë patjetër dy gjysmëfinaliste, pasi Spanja përballet me Belgjikën dhe Anglia me Norvegjinë.
Madje mund të synojë edhe katër vendet në gjysmëfinale, siç ndodhi në Rusi në vitin 2018, nëse Franca mposht Marokun dhe Zvicra hakmerret ndaj Argjentinës për eliminimin në fazën e 1/8 në vitin 2014. Megjithatë ekziston një statistikë që flet ndryshe.
Sa herë që Kupa e Botës është zhvilluar në kontinentin amerikan, të paktën një kombëtare nga Amerika e Jugut ka luajtur në finale.
Madje, deri 12 vjet më parë, kur Gjermania fitoi Botërorin në Brazil, trofeu kishte përfunduar gjithmonë në duart e një skuadre amerikanojugore.
Edhe në SHBA 1994, kur Brazili ishte i vetmi përfaqësues i Amerikës së Jugut në çerekfinale mes 7 skuadrave Europiane, Seleçao arriti të shpallej kampion.
Por numrat bien kur ekipet zbresin në fushë dhe gjithçka nis nga 0 – 0.
/tvklan.al












Botërori 2026 