Pavarësisht krizës greke, ekonomia në 16-vendet e zonës euro arriti që gjatë tremujorit të dytë të këtij viti të shënojë një rritje me 1%, shifra më e lartë në 3 vite e gjysmë. Surprizë janë të dhënat e raportuara nga Gjermania. Ekonomia, në një nga vendet më të fuqishme në Europë, shënoi një rritje rekord prej 2.2% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, më e lartë në 20 vite. Ekspertët e institutit të statistikave në Berlin thonë se kjo rritje, më e lartë se parashikimet, erdhi si pasojë e rritjes së eksporteve, të ndihmuara nga dobësimi i monedhës së përbashkët europiane. Megjithatë, ata nuk presin që këto ritme të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Gjatë periudhës Prill-Qershor, ekonomia në Francë u rrit me 0.6%, Spanja me 0.2%, ndërsa ekonomia italiane nuk lëvizi nga tremujori i parë, duke qëndruar në shifrat e 0.4%. Edhe Britania e Madhe u rrit me 1.1%. Ajo që bën përjashtim është Greqia, ekonomia e së cilës u kontarktua me 1.5%. Edhe ekonomia amerikane është kontarktuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Rritja ekonomike për periudhën Prill-Qershor ishte 0.6% nga 0.9 për periudhën Janar-Mars.

Shifrat optimiste mbi zhvillimin ekonomik dhanë efektin e menjëhershëm në tregjet financiarë. Bursat gjermane u hapën me një rritje prej 0.5% që në orët e para të tregtimit dhe Londra e Parisi me 0.4%. Euro gjithashtu shënoi një rritje me 0.4% ndaj monedhës së gjelbër, duke u këmbyer me 1.28 dollarë./tvklan.al