Bashkëpronari i Manchester United, Jim Ratcliffe, kërkoi falje për komentet e tij për emigrantët. Ndërkohë që Federata Angleze do të nisë një hetim për impaktin e tyre në botën e futbollit.
Bashkëpronari i Manchester United, Sir Jim Ratcliffe, tha se është “i penduar që fjalët e tij mund të kenë ofenduar disa njerëz”, pasi pretendoi se Britania është “kolonizuar” nga emigrantët që po i shterojnë burimet e shtetit.
Në një intervistë për Sky News, Ratcliffe, themelues i grupit kimik INEOS, paralajmëroi se Britania përballet me sfida të thella politike, shoqërore dhe ekonomike, ndër to një rritje e paprecedentë e emigracionit në vitet e fundit.
“Nuk mund të kesh një ekonomi me nëntë milionë njerëz me përfitime nga ndihmat sociale dhe nivele të larta emigrantësh që vijnë! Dua të them, Mbretëria e Bashkuar është kolonizuar. Kjo po kushton shumë para! Dua të them, popullsia e Mbretërisë së Bashkuar ishte 58 milionë në vitin 2020, tani është 70 milionë. Janë 12 milionë njerëz!”, tha Jim Ratcliffe, bashkëpronar i United.
Megjithatë, Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS) vlerëson se popullsia e Mbretërisë së Bashkuar ishte 67 milionë në mesin e vitit 2020 dhe 70 milionë në mesin e vitit 2024. Popullsia e Mbretërisë së Bashkuar vlerësohej në 58.9 milionë në vitin 2000.
Federata e Futbollit e Anglisë do të shqyrtojë nëse komentet e Ratcliffe rreth emigrantëve kanë shkaktuar ndjesi negative në futbollin vendas.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
