Lajme Arkiva 2003

Fatmir Mediu: Në gjykimin tim si kryetar i Komisionit të Integrimit, duket që ka një rendje të qeverisë shqiptare mbas sasisë apo neneve që negociohen dhe jo kualitetit dhe cilësisë së procesit që krijon kosto jo të vogla. Nga ana tjetër ne si opozitë kemi shfaqur në mënyrë të vazhdueshme gatishmërinë tonë për bashkëpunim, por nën petkun e këtij bashkëpunimi, qeveria shqiptare nuk mund të justifikojë ngadalësinë në reforma apo probleme jo të vogla siç u ngritën dje që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Në mënyrë të qartë u shpreh se jo vetëm qytetarët e Bashkimit Evropian nuk mund të pranojnë një vend me probleme të mëdha në aspekte të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por as politikanët evropian nuk mund të dëshironin  që të kishin marrëdhënie të tilla. Qeveria shqiptare pas negociatave të djeshme duhet të nxjerrë përfundime për sa i përket punës së saj. Më lejoni të theksoj gjithashtu se për fat të keq shikoj shenja të protagonizmit në këtë proces, protagonizëm të individëve apo të qeverisë për ta konsideruar procesin si pjesë të vetën duke mënjanuar institucione të rëndësishme gjatë këtij procesi siç është institucioni i parlamentit apo gjyqësori shqiptar që kanë një përgjegjësi jo të vogël dhe angazhime jo të vogla në raport me këtë proces./tvklan.al