05 tetor 2026- Autoritetet amerikane kanë arrestuar në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit një 34-vjeçare nga Kalifornia, e cila dyshohet se vepronte në interes të qeverisë kineze pa u regjistruar si agjente e një shteti të huaj.

Wanying Zhang, e njohur edhe me emrin “Heather” dhe me banim në Irvine, u ndalua të dielën nga agjentët e FBI-së në Los Anxhelos, ndërsa ishte duke u përgatitur të udhëtonte drejt Kinës.

Sipas autoriteteve amerikane, ndaj Zhang është ngritur një kallëzim federal për dyshimin se ka vepruar si agjente e paregjistruar e Republikës Popullore të Kinës.

Prokurori i parë ndihmës i SHBA-ve, Bill Essayli, bëri të ditur arrestimin përmes një postimi në platformën X.

Dokumentet e gjykatës pretendojnë se Zhang udhëtoi në Seattle gjatë vitit 2025, ku, sipas udhëzimeve që dyshohet se i kishte marrë nga zyrtarë kinezë, monitoroi një të afërm të një zyrtari të qeverisë tajvaneze.

Autoritetet pretendojnë se ajo u përcolli kontakteve në Kinë fotografi, video dhe të dhëna mbi targat e automjeteve.

Gjithashtu, dyshohet se koordinoi lëvizjet me një bashkëpunëtor dhe përdori metoda të ndryshme për të shmangur identifikimin nga autoritetet.

Prokurorët thonë se Zhang nuk e kishte informuar prokurorin e përgjithshëm të SHBA-së për aktivitetin e saj të dyshuar në emër të një qeverie të huaj.

Ajo pritet të paraqitet për herë të parë para një gjykate federale në Los Anxhelos, ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj saj.

Akuzat ndaj Zhang janë ende pretendime dhe ajo konsiderohet e pafajshme derisa të provohet fajësia në gjykatë.

/tvklan.al