Paris Saint-Germain e ka nisur sezonin ende larg formës së tij më të mirë, por në këtë fillim të vështirë një emër po spikat mbi të gjithë, Ferran Torres.

I transferuar këtë verë nga Barcelona për 50 milionë euro, sulmuesi spanjoll nuk ka pasur nevojë për shumë kohë për t’u përshtatur me skuadrën e Luis Enrique.

26-vjeçari mbërriti në Paris pas një vere të jashtëzakonshme me Spanjën, me të cilën u shpall kampion bote, duke shënuar edhe golin vendimtar në finalen e turneut.

Në Francë, Torres ka vijuar në të njëjtën linjë. Gjashtë gola në gjashtë paraqitje, mes tyre edhe një tripletë në debutimin e tij në Champions League, janë shifrat e një sulmuesi që po përshtatet në mënyrë perfekte me idetë e trajnerit Luis Enrique.

Rrjetën e radhës Torres e gjeti në transfertën ndaj Brestit.

Sulmuesi spanjoll i dha avantazhin PSG-së vetëm pesë minuta pas nisjes së takimit, me një gol spektakolar që dukej se do t’u jepte qetësi kampionëve të Europës.

Por ndeshja mori një tjetër drejtim. Bresti reagoi dhe PSG-së iu desh të vuante deri në fund për të mbrojtur avantazhin.

Në fund, parizienët arritën të rezistojnë dhe të marrin një fitore minimale 0-1, duke siguruar tri pikë të rëndësishme në një periudhë kur skuadra ende po kërkon ekuilibrin dhe vazhdimësinë.

Bilanci në kampionat mbetet larg pritshmërive, dy fitore, dy barazime dhe një humbje, rezultat që e vendos aktualisht PSG-në në vendin e shtatë të renditjes.

Në këtë moment të sezonit, megjithatë, Ferran Torres përfaqëson një nga të paktat siguri për Luis Enrique.

Sulmuesi spanjoll ka nisur të justifikojë menjëherë investimin e klubit dhe ka firmosur një kontratë me PSG-në deri në vitin 2031.

Tani vjen sfida ndaj Marsejes. Një derbi me peshë të veçantë, që mund të shërbejë edhe si pikë kthese për kampionët francezë.

Nëse PSG kërkon të rikthehet në rrugën e duhur, forma e Ferran Torres mund të jetë një prej armëve kryesore.

Klan News

/tvklan.al