Festat e fundvitit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të automjeteve në akset rrugore që përshkojnë Qarkun e Lezhës. Si pasojë, mbrëmjen e së shtunës, por edhe gjatë kësaj të diele, u regjistrua trafik i rënduar në rrugët e qytetit si dhe në superstradën Lezhë–Milot.

Kjo panoramë është kthyer tashmë në një refren të vazhdueshëm, i diktuar nga mungesa e infrastrukturës rrugore dhe kapacitetet e pamjaftueshme për të përballuar fluksin.

Pasojat e kësaj situate i vuajnë drejtpërdrejt qytetarët, të cilët detyrohen të presin me orë të tëra në trafik, shpesh në kushte të vështira dhe pa alternativa të tjera qarkullimi.

Për të menaxhuar situatën, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren, duke u vendosur në disa pika kyçe të aksit Lezhë–Milot, me qëllim lehtësimin e lëvizjes dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e mjeteve.

Klan News

/tvklan.al