FIFA i ka kërkuar falje 211 federatave anëtare për mënyrën se si u trajtua propozimi tashmë i tërhequr për shitjen një pjese të të drejtave tregtare të lidhura me Kupën e Botës.

Vendimi u bë i ditur pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të zhvilluar të mërkurën në Rabat të Marokut, ku drejtuesit e organizatës riafirmuan mbështetjen e plotë për presidentin Gianni Infantino, ndërsa pranuan se procesi nuk ishte menaxhuar siç duhej.

Në një letër dërguar anëtarëve të Këshillit të FIFA-s dhe federatave kombëtare u premtua edhe rishikimi procedurave.

FIFA theksoi gjithashtu se pas tërheqjes së propozimit do të mbrojë integritetin dhe reputacionin e saj ndaj çdo sulmi.

Plani hasi në kundërshtime të forta nga UEFA dhe federata të tjera, të cilat akuzuan FIFA-n dhe presidentin e saj për mungesë transparence e konsultimi.

Kjo çështje konsiderohet sfida më e madhe për Gianni Infantino që nga marrja e drejtimit të qeverisë botërore të futbollit në 2016 dhe më pak se 1 vit nga zgjedhjet e ardhshme për kreun e këtij organizmi.

/tvklan.al