Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po shtohet. Pas UEFA-s edhe Konfederata Aziatike e Futbollit i është bashkuar zërave kritikë ndaj projektit që parashikon riorganizimin e aktiviteteve tregtare të FIFA-s.
Në qendër të debatit është plani për krijimin e kompanisë FIFA Forëard Enterprise, një strukturë e kontrolluar nga FIFA, e cila do të administrojë të drejtat televizive, sponsorizimet dhe të ardhurat tregtare të turneve ndërkombëtare.
Sipas propozimit, FIFA do të mbajë shumicën e aksioneve, ndërsa një pjesë do t’u shpërndahet 211 federatave anëtare dhe deri në 30 për qind do t’u ofrohet investitorëve privatë.
Projekti ka shkaktuar reagime të forta. UEFA paralajmëron se mund të bojkotojë aktivitetet e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, nëse reforma miratohet në formën aktuale.
Edhe 55 federatat evropiane kanë votuar unanimisht në mbështetje të këtij qëndrimi, ndërsa kundërshtimeve u janë bashkuar edhe përfaqësues të futbollit në Amerikën e Veriut dhe Azi.
Përballë kritikave, FIFA ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se nisma synon të krijojë më shumë mundësi ekonomike për të gjitha federatat, pa prekur qeverisjen dhe vlerat e organizatës.
Sipas FIFA-s, procesi do të jetë i hapur dhe demokratik, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret vetëm me miratimin e shumicës së 211 federatave anëtare.
Institucioni më i lartë i futbollit botëror thekson gjithashtu se “futbolli nuk është në shitje” dhe se të ardhurat e krijuara nga modeli i ri do të shpërndahen mes të gjitha federatave.
Çdo anëtare pritet të përfitojë 20 milionë dollarë financim për ciklin 2027–2030.
Nëse projekti nuk siguron mbështetjen e nevojshme, FIFA konfirmon se modeli aktual i menaxhimit të aktiviteteve tregtare do të mbetet i pandryshuar.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
