Publikimi i videolojës së shumëpritur GTA 6 ka shkaktuar një rritje të madhe të porosive për ushqim në SHBA dhe në vende të tjera. Shumë fansa kanë qëndruar zgjuar gjatë gjithë natës për të luajtur ose kanë marrë pushim nga puna, duke rritur kërkesën për pica, hamburgerë, patatina dhe pije energjike.
Fenomeni është vënë re edhe nga gazeta amerikane “The New York Times”, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë rritjes së porosive dhe punës së shërbimeve të dërgesave. Disa restorante, piceri dhe zinxhirë të ushqimit të shpejtë janë detyruar të shtojnë punonjësit për të përballuar fluksin.
Madje, disa fansa kanë kërkuar edhe ushqime nga restorante që shfaqen në vetë videolojën, si Burger Shot, zinxhiri imagjinar i frekuentuar nga personazhet kryesore të GTA 6, Lucia Caminos dhe Jason Duval. Edhe pse ky restorant ekziston vetëm në botën virtuale të lojës, disa lokale kanë përdorur logon e tij në qeset e porosive, ndërsa janë prodhuar edhe bluza dhe produkte të tjera me këtë simbol.
Një tjetër restorant imagjinar që shfaqet në lojë është Cluckin’ Bell.
“Ka qenë vërtet një natë e madhe“, tha për “The New York Times” Frank Lucido, bashkëpronar i picerisë Frankie & Joe’s Pizza në Boca Raton, Florida. Ai tregoi se restoranti ishte përgatitur për rritjen e kërkesës duke shtuar stafin në kuzhinë dhe duke planifikuar turnet e dy picierëve më të mirë gjatë orëve të natës.
“Ne shtuam stafin në kuzhinë dhe u siguruam që dy picierët tanë më të mirë të ishin në turn në orën 2 të natës, kur pritej piku i kërkesës“, u shpreh ai.
Të dhënat e kompanisë DoorDash tregojnë se porositë u rritën me 25% në Miami, Philadelphia, Detroit dhe Atlanta, gjatë periudhës nga ora 21:00 e së mërkurës deri në orën 02:00 të së enjtes, krahasuar me të njëjtën periudhë të një jave normale. Shitjet e pijeve energjike u rritën me 20%, ndërsa porositë për pica, hamburgerë dhe patatina shënuan rritje me 10%.
Kërkesa nuk erdhi vetëm nga të rinjtë, por edhe nga personat e moshës së mesme. Ndërkohë, Uber Eats në Miami, qyteti që ka shërbyer si frymëzim për metropolin imagjinar Vice City në GTA 6, regjistroi një rritje prej 30% të porosive krahasuar me dy të enjtet e mëparshme. Për disa produkte të lidhura posaçërisht me lojtarët, kërkesa u rrit deri në 95%.
Për të përfituar nga ky interes, disa lokale ofruan ulje çmimesh deri në 20% për klientët që përdornin kodin “GTA” në aplikacionet e tyre.
Edhe restorante të tjera u përgatitën paraprakisht për këtë fluks. Rodney Barro, pronar i picerisë Pizza Box në Dearborn Heights, Michigan, kishte nisur përgatitjet dy javë më parë. Ai u kishte kërkuar të gjithë punonjësve të ishin në punë natën e publikimit të lojës dhe kishte ndryshuar edhe arredimin e lokalit, duke e përshtatur me stilin e Grand Theft Auto.
Ndërkohë, McDonald’s prezantoi një shërbim të ri për marrjen e porosive përmes platformës Discord, e përdorur gjerësisht nga komuniteti i lojtarëve. Uber Eats mendoi edhe për një mënyrë porositjeje me vetëm një dorë, në mënyrë që përdoruesit të mos ndërprisnin lojën gjatë procesit.
Megjithatë, sipas ekspertëve të sektorit, rritja e porosive për ushqim për shkak të GTA 6 nuk ka arritur ende nivelet e regjistruara gjatë Super Bowl, finales së kampionatit amerikan të futbollit, kur kërkesa rritet me 27 deri në 35%. Për të nxjerrë një përfundim më të saktë, kompanitë presin të dhënat e fundjavës, pasi jo të gjithë lojtarët kanë mundësi të marrin pushim nga puna gjatë ditëve të javës për t’iu kushtuar videolojës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
