Firence nderon me titullin më të lartë “Fiorino D’Oro”(Çmimin e artë të Fiorentinës) Kardinalin shqiptar Ernest Simoni duke i shprehur mirënjohjen një njeriu që ka ditur ta shndërrojë dhimbjen në dritë dhe shpresë për të gjithë.
Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Palazzo Vecchio ishin përfaqësues të lartë të komunës së Firenzes, ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj dhe përfaqësues të klerit katolik.
Mes emocionesh, Kardinali Simoni shprehu mirënjohje të madhe për nderimin e tij nga Komuna e Firenzes.
“Me gjithë zemër, duhet të falënderoj Zotin që më ka dhuruar shëndet dhe jetë. Gjithashtu, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të gjithë ju përfaqësues të qytetit të Firences dhe të Italisë. Prania ime këtu është një dhuratë nga Zoti dhe nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, i cili më ka thënë se jam ndriçuar nga Zoti. Nuk do ta kisha besuar kurrë se në moshën 98-vjeçare, do të përjetoja një nderim dhe një vlerësim kaq të madh shpirtëror”, tha Kardinali shqiptar Ernest Simoni.
Ndërsa ambasadorja Majlinda Frangaj u shpreh se kardinali shqiptar përfaqëson simbolin e kujtesës për shumë meshtarë që u persekutuan në diktaturë.
“Ky vlerësim për Kardinalin Ernest Simoni, i cili u persekutua nga diktatura komuniste, tregon se është shndërruar në një simbol të kujtesës, të lirisë fetare, të besimit dhe të dinjitetit të një populli të tërë. Emërimi i tij si kardinal është një vlerësim për besimin dhe përndjekjen që ka përjetuar populli shqiptar. Mendoj se Papa Françesku, përmes këtij emërimi ka dashur t’u japë zë edhe shumë klerikëve, shumë meshtarëve dhe besimtarëve të tjerë, të cilët nuk patën mundësinë të rrëfenin historinë e tyre, sepse diktatura komuniste i vrau”, tha Ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj.
Simbol të qëndresës dhe besimit e cilësoi kardinalin Ernest Simoni, kryetarja e Komunës së Firenzes.
“Jam e lumtur që edhe pse kanë kaluar disa muaj nga momenti i shpalljes së këtij vendimi, mund t’i dorëzoj në emër të qytetit të Firences, çmimin “Fiorino d’Oro” Kardinalit Simoni. Dhe ky nuk është një çmim i zakonshëm sepse Kardinali Simoni, At Ernesti, siç parapëlqejnë ta quajnë shumë njerëz, është një martir i gjallë i kohëve tona, një simbol i besimit, një simbol i qëndresës, por mbi të gjitha një simbol i faljes dhe i lirisë së ndërgjegjes”, tha Kryetarja e Komunës së Firenzes në Itali, Sara Funaro.
Prej vitesh banues në Firenze, ky vlerësim vjen në një vit domethënës për Kardinalin shqiptar me rastin e 70-vjetorit të shugurimit të tij si meshtar dhe 10-vjetorit të emërimit si Kardinal.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 