Romanca e Dakota Johnson dhe Machine Gun Kelly duket se po bëhet gjithnjë e më serioze, ndërsa daljet e tyre të shpeshta publike kanë shtuar kuriozitetin për marrëdhënien mes dy artistëve. Këtë herë, vëmendjen e kanë tërhequr disa pretendime nga persona pranë aktores, sipas të cilëve mes çiftit ekziston një kimi e jashtëzakonshme, madje edhe në aspektin intim.

Sipas një burimi të cituar nga “Daily Mail”, aktorja u ka rrëfyer miqve të saj se përjeton me muzikantin “seksin më të mirë të jetës së saj”. I njëjti burim pretendon se Johnson e ka përshkruar kiminë mes tyre si diçka të jashtëzakonshme, duke e krahasuar me “fishekzjarrë”.

Ndërkohë, çifti është fotografuar sërish së bashku në Los Angeles, mbrëmjen e së enjtes, më 19 nëntor. Pavarësisht shiut dhe temperaturave të ulëta, të dy janë shfaqur të qetë dhe në humor të mirë, teksa largoheshin nga një restorant. Dakota kishte zgjedhur një pallto të gjatë të zezë prej lëkure, pantallona gri dhe një shall jeshil smerald, ndërsa Machine Gun Kelly kishte preferuar një xhaketë të zezë bomber me jakë gëzofi, pantallona të gjera dhe një kapele të thurur bardhezi.

Kjo dalje i shtohet një serie takimesh publike që kanë bërë së bashku muajt e fundit, duke ushqyer gjithnjë e më shumë spekulimet për lidhjen e tyre.

Sipas raportimeve mediatike, afrimiteti mes dy artistëve nisi gjatë dasmës së Taylor Swift dhe Travis Kelce, të zhvilluar më 3 korrik në Madison Square Garden, në New York. Fillimisht ata krijuan një miqësi, duke komunikuar shpesh përmes mesazheve, përpara se të nisnin të kalonin më shumë kohë së bashku.

Thashethemet për një romancë u shtuan në shtator, kur Johnson dhe muzikanti u fotografuan në apartamentin e Taylor Swift në lagjen Tribeca të New York-ut, pak përpara se të dilnin për darkë. Më pas, aktorja u shfaq edhe në krah të tij gjatë Javës së Modës në Milano, duke shtuar dyshimet se mes tyre kishte lindur diçka më shumë se miqësi.