Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi sot, 19 mars, të gjithë besimtarët me rastin e ditës së fundit të muajit të Ramazanit.
Ai u shpreh se përgjatë këtij muaji, besimtarët kanë kryer një udhëtim shpirtëror të përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me Zotin.
Spahiu uroi besimtarët edhe me rastin e Fitër Bajramit, i cili do të festohet nesër pas mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, faljeje dhe solidariteti. Nesër kemi festën e Fitër Bajramit. Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me Zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira ne forcuam besimin tonë dhe ndjenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të larta njerëzore, mëshirën, dashurinë, faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi, bashkimi dhe mirësie për çdo familje shqiptare. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju uroj nga zemra gëzuar Fitër Bajramin”, tha Spahiu.
Muaji i Ramazanit është muaji i shenjtë i Islamit, gjatë të cilit myslimanët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, rrisin lutjet, lexojnë Kuranin dhe bëjnë vepra të mira. Është një kohë për vetëdisiplinë, reflektim, bamirësi dhe për të forcuar lidhjet me komunitetin dhe me Zotin.
/tvklan.al












Botërori 2026 
