Kryetari i KMSH-së Bujar Spahiu, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, foli për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Spahiu deklaroi se Ramazani është një moment reflektimi fizik dhe shpirtëror.

Ai shtoi se Ramazani i jep njeriut disiplinë, që është tepër e rëndësishme edhe për detyrat, që një individ ka në jetën e tij.

“Muaji i Ramazanit është moment reflektimi fizik e shpirtëror. Është një sakrificë e vullnetshme, në vullnetin e lirë të njeriut. Njeriu duhet që të agjërojë, që kur kalon në moshën e pubertetit. Nata e Kadrit është nata e vlerave, është oferta madhështore e Zotit, që do të thotë se është natë më e mirë se 1000 muaj. Njeriu duhet që të përgjërohet e të kërkojë falje tek Zoti. Profeti mendoi për njerëzit e asaj kohe, sot dhe për deri në ditën e fundit.

Festat më të rëndësishme për myslimanët janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Ramazani është një disiplinë madhështore, që i kujton njeriut që të jetë i përpiktë dhe në jetën e tij. Gjithë kjo sakrificë finalizohet me Fitër Bajramin. Kjo ditë shënon rikthimn në normalitet. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është shumë i pranishëm në vend. Është pozitive që shumë të rinj agjërojnë, sepse të shikosh të rinj që respektojnë Zotin është një veprim tepër i mirë e shembullor, që duhet ndjekur nga sa më shumë persona”, tha Spahiu.

/tvklan.al