Shqipëria zuri vendin e parë në konkursin e “Global CyberDrill”, që vlerësohet si ngjarja më e madhe vjetore e që bën bashkë përfaqësues të komunitetit të ekspertëve nga e gjithë bota. Në Episodin e 16-të të Sezonit të podcastit “FLASIM”, Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar fituesit Franc Zylyftari, Adriano Lleshi dhe Ilir Daka.

Rama u shpreh se lufta kibernetike është bërë gjithnjë e më e ashpër duke sjellë në vemendje sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.

Edi Rama: Shqipëria u godit në një moment që e mban mend të gjithë nga një shtet i fuqishëm në këtë luftë dhe më duket me rëndësi që sot të ndajmë disa nga të vërteta të thënat dhe të pathënat e kësaj lufte me 3 protagonistë në frontin tonë të luftës.

Ndërsa fituesit e “Global CyberDrill” theksuan se vlerësimi me çmimin e parë tregon që Shqipëria ka ekspertë shumë të mirë në fushën e sigurisë kibernetike.

Ilirian Daka: Kur pamë Shqipërinë që ishte në krye, ti shikon te vetja çfarë mund të bëjmë më tepër. Filluam dhe kërkuam brenda vetes se çfarë kemi hequr gjatë asaj kohës që patëm sulmin, si e kemi zgjidhur, çfarë ka ndodhur. Duke gjetur pikat kyçe sesi e zgjidhëm këto ne arritëm të zgjidhnim edhe ushtrime të tjera në vazhdimësi.

Franc Zylyftari: Impakti që u listuam të parët tregoi se kemi marrë njohurinë e duhur dhe zotërojmë eksperiencën e duhur. Ishte dinamike. Gjykoj se nuk ka kënaqësi më të madhe se të përballesh me kërcënimet e jashtme që duan t’i bëjnë dëm shtetit shqiptar.

Ndërsa Adriano Lleshi deklaroi se pasioni për sigurinë kibernetike e shtyu të bëhej pjesë e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik.

Adriano Lleshi: Duke mbaruar dhe shkollën për Teknologji Informacioni, në mbyllje të masterit aplikova për pjesën e programit të praktikave. Fitova kontratë 1-vjeçar e pranë AKCESK dhe aty u rrita profesionalisht dhe kjo më bëri të mundur qasjen e idealeve që kam se si mund ta ruajmë autoritetin tonë dhe është një adrenalinë e madhe duke parë dhe dinamikën që kemi sepse ne nuk e dimë se me çfarë aktorë ndeshemi.

Gjatë bisedës në podcastin e tij, Kryeministri Rama nënvizoi se Autoriteti Kombëtar per Certifikimin Elektronik dhe AKSH-i kanë rol tepër të rëndësishëm për sigurinë kibernetike.

Edi Rama: Ne kemi bërë përpjekje, por them se kemi sjellë AKCESK dhe AKSH në nivelin e tregut. Do t’i bëjmë subjektet më të dëshiruara në treg sepse është e vetmja mënyrë që të kemi aty talentet më të mira të kemi njerëzit më të motivuar dhe të kemi forcën më efektive në llogore dhe kjo realisht është një luftë e jashtëzakonshme dhe shumë stresuese.

Gara e “Global CyberDrill”u zhvillua mes 108 shteteve pjesëmarrëse, ku u simuluan skenarë realë të sulmeve kibernetike dhe përfaqësuesit kuqezi fituan vendin e parë.

Klan News