Lushnja dhe rrethinat e saj numërojnë 120 zjarre vetëm për muajin Korrik. Mbasditen e kësaj të marte, një tjetër zjarr i madh rrezikoi djegien e fshatit Golem. Prej disa orësh zjarri ka djegur fillimisht ferrat dhe barishtet e thata në zonën e banuar.

Banorët dhe mjetet zjarrfikëse të Lushnjes, Rrogozhinës e Fierit, po punojnë për vënien në kontroll të flakëve.

Xhezmi Metushi shefi i policisë zjarrfikëse thotë se ky zjarr është shumë problematikë sepse është në një zonë të banuar dhe ka rrezikshmëri të lartë për banesat.

Me kushtet e pakta që kemi, erdhëm me 2 mjete zjarrfikëse, e izoluam zjarrin pa mbërritur në muret e ndërtesës. Zjarri ka qenë shumë pranë, sidomos në 2 banesa, zjarri ka qenë 3-4 metra larg banesave.”

Flakët kanë dalë deri në rrugën nacionale dhe tymi ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve.

Tymi i dendur ka mbuluar edhe qytetin e Lushnjes. Në vendngjarje ka forca të shumta të policisë për të hetuar kush janë zjarrvënësit. Era e fortë po përhap flakët drejt jugut duke djegur edhe linjën e re hekurudhore.

Është djegur pjesërisht një banesë e braktisur dhe disa sipërfaqe të mbjella. Sipas Policisë zjarri është vënë nga persona të papërgjegjshëm.

Ky është vend i populluar nga njerëz. Unë ju bëj thirrje që të gjithë qytetarëve të bëjnë kujdes sepse zjarre të tilla na vënë në vështirësi të paparë.”

Situata duket më ndryshe në Dropull, pasi fatmirësisht reshjet e shiut të cilat nisën gjatë mbasdites në zonën e Gjirokastrës kanë ulur furinë e zjarreve në Dropull.

Flakët që u ripërtërinë në kullotat malore përgjatë ditës së martë ishin aktive pranë fshatrave Dhuvjan, Vanistër, Goranxi dhe Derviçan.

Gjatë orëve të mbasdites tymi dhe bloza të përhapur nga era për minuta të tëra mbuluan dhe qytetin e Gjirokastrës. Në terren ndodhen strukturat e emergjencës që kanë kërkuar mbështetje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dropull.

Klan News