Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, por mbetet i rezervuar në shifra   I përket nivelit të rritjes ekonomike të këtij viti, dhe këshillon të bëhet kujdes me deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Përfaqësuesi i FMN-së Gerwin Bell i cili përfundoi vizitën një javore në Shqipëri, shprehet se rritja ekonomike do të jetë në nivelin 2.7%.

Gerwin Bell: “Ajo që bie në sy është rezistenca që ka treguar ekonomia shqiptare në të shkuarën e afërt. Shqipëria e përballoi me sukses krizën ekonomike globale të vitit 2009, dhe ishte nga të paktat vende që nuk pësoi rënie të prodhimit të brendshëm bruto. Dhe në vitin 2010 rritja ekonomike ishte nga më të lartat në rajon. Në vitin 2010 rritja ekonomike vlerësohet të ketë qenë në nivelin 3.5%, kurse parashikimet tona për 2011 janë 2.7%.”

Por për Ministrin e Financave Ridvan Bode, rritja do të jetë gati dy herë më e madhe, në nivelin 5%. Ndryshe nga FMN-ja që parashikimin e bazon në ecurinë e tremujorit të parë të vitit, Ministri i Financave është optimist se ritmet e zhvillimit të muajit në vijim, do të kompensojnë edhe të dhënat e fillimit të këtij viti.

Ridvan Bode: Viti 2011 po vijon përsëri me një trend pozitiv në rritjen ekonomike. Edhe në këtë vit pritet që Shqipëria të jetë në krye të rritjes ekonomike por sigurisht jo në nivelet e shpresuara. Në programimin e fundit të vitit të kaluar mendohet që të jetë një rritje ekonomike rreth 5% të prodhimit të brendshëm bruto.”

Ecurinë pozitive të ekonomisë e konfirmoi dhe kreu i Bankës Qendrore Ardian Fullani. Sipas tij ekonomia shqiptare ka potencialet e nevojshme për të prodhuar rritje ekonomike të qëndrueshme.

Ardian Fullani: “Në kompleksitetin e këtyre zhvillimeve ekonomike dhe financiare të vitit 2010, dhe ato të muajve të parë të vitit 2011, kanë treguar se ekonomia shqiptare ka përballuar me sukses efektet e krizës globale, dhe gëzon parakushtet e nevojshme për të prodhuar rritje ekonomike edhe në të ardhmen.”

Për sa i përket parashikimeve të ndryshme të FMN-së dhe qeverisë për rritjen ekonomike mbetet fakt se FMN-ja ka gabuar vazhdimisht në parashikimet e saj, duke dhënë shifra disa herë më të ulëta se ato të qeverisë. Në vitin 2009 pikun e krizës globale FMN-ja parashikoi se Shqipëria do të kishte një rritje ekonomike prej 0.7%, por Shqipëria e mbylli këtë vit me një rritje disa herë më të lartë, në nivelin 3.3%. E njëjta gjë dhe për vitin 2010 ku fondi parashikoi rritjen 2.6%, ndërkohë ajo rezultoi 3.9% në fund të vitit. E ndërsa në shifra parashikimet nuk përputhen Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria kanë qenë në të njëjtën linjë për sa u përket shkurtimeve buxhetore, për të mbajtur nën kontroll deficitin dhe borxhin publik. FMN-ja kërkoi që këto shkurtime të arrijnë deri në 20 miliardë lekë, shifër kjo e përafërt me atë të parashikuar nga Ministria e Financave.

Gerwin Bell: “Është e nevojshme që të rishikohet buxheti. Rekomandimi ynë është që buxheti duhet të shkurtohet me 20 miliardë lekë.

Ridvan Bode: “Nuk është vetëm një element vetëm rritja ekonomike po janë tre zhvillime të tjera ekonomike që bëjnë domosdoshëm hartimin e një programi sa më realist.”

Ministri i Financave tha se shkurtimet buxhetore do të mbajnë deficitin buxhetor në kontroll 3.5%, po ashtu dhe borxhin. Por ai sqaroi se këto shkurtime nuk do të prekin rritjen e pagave dhe pensioneve që janë parashikuar të bëhen në mesin e këtij viti./tvklan.al