100 karroca invaliditeti i janë dhuruar Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Sauk dhe Spitalit Ushtarak nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” të drejtuar nga zonja Liri Berisha. 50 prej këtyre karrocave që iu dhuruan Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të shpërndahen në Urgjencën e Spitalit të Ri, Urgjencat e Spitalit Infektiv, Spitalit të Psikiatrisë, ORL, Pediatrisë; Pavioni Qendror i Reanimacionit, dhe disa pavione specifike si Kardiologjia, Hematologjia e Onkologjia. Këto mjete do t’u vijnë në ndihmë mijëra pacientëve që priten si raste urgjente.

Sajmir Ivziku: “Aktualisht me numrin e madh dhe me fluksin e madh të pacientëve që paraqiten në urgjencat tona, kuptohet që dhe lehtësimi i lëvizjes së tyre apo lëvizja e tyre edhe për në shërbimet e tjera mbas ekzaminimit që bëhet është shumë e domosdoshme.  Kështu që unë sot jam, të them të drejtën jam shumë i gëzuar. Mund të shpreh falënderimet e mia më të mira, më të sinqerta për dhuratën e bërë nga fondacioni.”

Në Spitalin Ushtarak, Fondacioni dhuroi 30 karroca invaliditeti kryesisht për shërbimin e urgjencës dhe pavionin e kardiokirurgjisë, ku nevojat janë edhe më të mëdha.

Bedri Mihja: “Ne trajtojmë të sëmurë me dëmtime serioze, sidomos të shtyllës kurrizore, të kokës, të trurit dhe të ekstremiteteve, që shpesh herë shoqërohen me probleme të vështira për t’u riaftësuar. Të sëmurët me këto lloj dëmtimesh kërkojnë patjetër asistencë mjekësore, asistencë familjare dhe asistencë teknike. Një prej këtyre asistencë është edhe aktivizimi spontan i këtyre invalidëve nëpërmjet karrocave.”

Në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” u dhuruan 20 karroca invaliditeti, të cilat do të shpërndahen në urgjencë dhe në shërbime që kanë domosdoshmëri lëvizjen e pacientëve me këto mjete./tvklan.al