Për të nxitur formalizimin në sektorin e turizmit, qeveria duke nisur nga ky sezon ka vendosur të aplikojë një model të ri për deklarimin tatimor për strukturat hoteliere.
“Kemi vendosur që t’i japim një opsion për të pranuar një paradeklarim me marrëveshje që për periudhën e pikut të paguani 65%, por ka mbrapa edhe 30% e periudhës së dimrit”, tha Rama.
Kjo do të jetë një marrëveshje preferenciale dhe sipërmarrjet që do ta nënshkruajnë do të kenë zero kontrolle tatimore ndërsa të tjerët do të përballen me kontrolle të shtuara dhe sanksione në rast se rezultojnë se kanë abuzuar me deklarimin e tyre.
“Do përballeni me kontrollet që do jenë shumë më të ashpra nga pikëpamja e sanksioneve”, tha Edi Rama.
Një tjetër masë që do të ndërmerret gjatë këtij sezoni turistik për të shmangur situatën e krijuar me pushtimin e të gjitha hapësirave publike të plazheve nga sipërmarrjet private është kontrolli me drona për të parë respektimin e lejeve të dhëna për vendosjen e shezlongeve.
“Në mënyrë të përditshme do të marrim informacion për mënyrën si administrohet hapësira e plazheve”, tha Rama.
Por duket se sipërmarrësit e restoranteve të cilët nuk do të pajisen me leje për vendosjen e shezlongeve kanë nisur të gjejnë opsione për të shmangur rregullin e vendosur nga Ministria e Turizmit.
Në takimin me sipërmarrësit në fushën e turizmit në Sarandë, kryeministri garantoi se kjo nuk do të lejohet pasi do të ketë kontrolle të shtuara dhe solli si shembullin më skandaloz të abuzimit me vendosjen e shenzlongeve plazhin e Ksamilit.
“Unë po pres tani të mbushet edhe uji me shezlong që të jenë tip varkash që njerëzit të shtrihen, tua vënë dhe çmimin 1000 euro. 1000 euro çmimi i shezlonget. ma ha mendja aty po të futesh me familjen ne fund të 15 ditëshit mund të dalësh me ndonjë familje tjetër”, tha Rama.
Në Sarandë, Rama premton zgjidhje të problemit të furnizimit me ujë 24 orë dhe atë të parkimit që në këtë qytet gjatë sezonit turistik shkakton situatë kaotike dhe me trafikun.
Tv Klan