Kryeministri Edi Rama, përgjatë një takimi me biznesmenët në Sarandë, ka folur lidhur me sektorin e hotelerisë dhe deklarimet e sipërmarrësve para inspektorëve. Rama u shpreh se biznesmenët “bëjnë hile” në deklarimin e shtretërve në periudhën e sezonit. Për këtë arsye, tha kreu i qeverisë është bërë ulja e TVSH-së në 6%, në mënyrë që të nxitet formalizimi, por sërish deklarimet nuk janë ato reale.

Ai sqaroi se është e bezdisshme ardhja e inspektorëve në kulmin e punës në sezon, ndaj për të gjithë ato biznese që nuk dëshirojnë kontrolle, mund të paguajnë 65% të shtretërve. Në këtë mënyrë, Rama sqaron se edhe biznesmenët do jenë të qetë nga ana e inspektorëve, por gjithashtu do rriten deklarimet reale për këto biznese.


Sakaq, për sezonin e dimrit, këto biznese, nëse nuk duan të kenë inspektorët “mbi kokë”, do paguajnë 30% të shtretërve.

“Do duhet të deklaroni se bëni shumë hile me deklarimin e shtreteve të zënë. Këtë e kuptoj me disa fytyra që po buzëqeshin lehtë. Bëni shumë hile me këtë punë. Mirëpo çështja është se kjo hile po na pengon të bëjmë më shumë për qytetin. Se nuk i jepet mundësia bashkisë të mbledhë të ardhura që i takojnë nga okupimi i shtretërve. Nuk mund të pretendojë njëri në Ksamil, ose në Sarandë, që në korrik ka shtretër bosh. Se pretendon dot. Por, po të shikosh deklarimet tuaja, duket sikur po jetoni në një krizë permanente.

Ne kemi ulur TVSH enkas për të nxitur formalizimin. E kishim 20% TVSH, e kemi bërë 6%. Është TVSH më e ulët në Mesdhe. Edhe në rajon. Më e ulët se Mali i Zi, Kroacia, Greqia, e prapë se prapë ju bëni sikur s’kuptoni. Megjithatë, për të hyrë në një proces normalizimi të kësaj situate, dhe nga ana tjetër për të evituar atë, që unë jam dakord me ju, është gjëja më bezdisshme që ti je i angazhuar në sezon, të bësh maksimumin me klientët, edhe kur të vijnë te dera inspektorët e fillojnë të trokasin nëpër dyer për të parë dhomat a janë të zëna a s’janë të zëna, e fillojnë me regjistrat, është bezdi e madhe.

Mirëpo si i bëhet kësaj pune, që edhe inspektorët mos të vijnë, por edhe hilja mos të vazhdojë me këto fytyra kaq të pastra e të qeta, që bëjnë sikur s’kuptojnë?! Atëherë, e ne duke bërë dhe një konsultim me ekspertizë ndërkombëtare, kemi vendosur që të japim një opsion të gjithë strukturave hoteliere për të pranuar një para-deklarim, me marrëveshje, që për periudhën e pikut, të paguajnë, nëse nuk duan asnjë kontroll, të paguajnë 65%. 65%, besoj, është shumë më e ulët në krahasim me të vërtetën, por ne duam që ta fillojmë me 65% uniformë dhe kush paguan 65% të zënë për gjithë periudhën Maj-Shtator mos gabohem, nuk ka asnjë kontroll. Por, ka nga pas 30% e periudhës së dimrit, që bën një lloj balance për të krijuar edhe mundësinë që të vazhdojnë të mbahen ato minimumet e stafeve, etj, etj. Të gjithë ata që do pranojnë këtë marrëveshje, nuk do kenë asnjë kontroll, e do paguajnë 65-30%.”, tha Rama.

/tvklan.al