Banka e Shqipërisë zhvillon këtë javë forumin e radhës me drejtues të bankave që operojnë në vend dhe përfaqësues të bordeve drejtuese.

Sipas Drejtorit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, ky forum vjen në një kohë kur të dhënat që mbërrijnë nga sistemi bankar, janë përmirësuar, një likuiditet më i mirë, rritje e depozitave dhe e kreditimit.

Indrit Banka: “Ky është një takim i cili vjen në një moment të rëndësishëm dhe iu referohem zhvillimeve në depozitat e sistemit bankar, të cilat prej më shumë se një viti kanë vazhduar tendencën e tyre rritëse. Tashmë Banka e Shqipërisë mendon se janë konsoliduar situata e likuiditetit bankar, duke e përbërë kështu një platformë të shëndoshë për të vazhduar kredidhënien”.

Kredidhënia e bankave që operojnë në vendin tonë ndryshe nga shumë vende të tjera, mbulohet më së miri nga kursimet e shqiptarëve, çka është një garanci më shumë në drejtim të qëndrueshmërisë.

Po ashtu dhe problemet që janë shfaqur në shtetin fqinj, në Greqi nuk pritet të reflektojnë pasoja për filialet e bankave që operojnë në vendin tonë.

Indrit Banka: “Bankat në Shqipëri vazhdojnë të mos kenë nevojën e tregjeve ndërkombëtare për të financuar portofolat e tyre të kredisë. Banka e Shqipërisë mendon që Shqipëria, sistemi bankar shqiptar janë ambiente ku mund të investohet dhe që ofrojnë garanci për cilin do nga ne. Bankat greke operojnë në Shqipëri si entitete, si subjekte të pavarura juridikisht, të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë, në këto një vit e gjysmë ka parë dhe ka përjetuar dhe shtrëngime të mëtejshme, si në drejtim të kapitalit, si në drejtim të minimizimit dhe uljes së ekspozimit nga palët e treta përfshirë këtu dhe momot dhe kompanitë apo entitetet e grupeve të tyre.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

/tvklan.al