Franca ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të shuar zjarret e mëdha që kanë përfshirë disa zona pranë bregdetit atlantik të vendit.

Thirrja për ndihmë erdhi teksa autoritetet franceze urdhëruan evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret, një pikë e nxehtë turistike në bregdetin e Atlantikut, duke dërguar anije për të larguar njerëzit nga një zonë e kërcënuar nga një zjarr i madh.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, veçanërisht në rajonin e Gironde dhe përforcime priten së shpejti nga disa vende të unionit.

“Franca ka kërkuar aktivizimin e mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian. Së shpejti do të jemi në gjendje të mbështetemi në përforcime nga dy avionë kroatë Canadair, dy aeroplanë portugezë Air Tractor, si dhe dy helikopterë të rëndë Black Hawk nga Republika Çeke dhe Sllovakia”, tha Macron.

Rreth 12,000 persona u evakuuan nga jugperëndimi i Francës dhe autoritetet zhvendosën 8,800 të tjerë, ndërsa zjarret po përhapen në rajonin e Zhirond.

Zyrtarët lokalë thanë se rreth 3,400 hektarë tokë janë shkatërruar tashmë rreth Gjirit të Arcachon, ndërsa rreth 700 zjarrfikës luftojnë me flakët.

Në Spanjë, qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në rajonin e Madridit, ku më shumë se 10,000 njerëz janë evakuuar ditët e fundit.

Shërbimet e emergjencës thanë se mesazhe alarmi u ishin dërguar njerëzve në Aldea del Fresno, një qytet në perëndim të Madridit, duke i urdhëruar ata të largoheshin.

Ne Itali, mijëra punonjës të emergjencës luftuan me dhjetëra zjarre në Siçili dhe rajonin e Kalabrisë.

Klan News

/tvklan.al