Kryeministrja socialdemokrate e Danimarkës, Mette Frederiksen ka shpallur zgjedhje të parakohshme për 24 marsin, në një lëvizje që synon të shfrytëzojë rritjen e fundit të popullaritetit të saj, në një moment tensionesh të forta ndërkombëtare.

Vendimi vjen pas një periudhe të vështirë politike për qeverinë e saj, e cila pësoi humbje në zgjedhjet lokale të nëntorit 2025 dhe ra ndjeshëm në sondazhe gjatë muajit dhjetor. Megjithatë, reagimi i saj i ashpër ndaj deklaratave dhe pretendimeve të presidentit amerikan Donald Trump mbi Groenlandën ka sjellë një efekt mobilizues në opinionin publik danez.

Partia Socialdemokrate, e cila kishte rënë nën 20 për qind në sondazhe, ka filluar të rikuperojë terren javë pas jave. Frederiksen ka theksuar se katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për Danimarkën dhe Evropën, duke nënvizuar nevojën për të rishikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, për të forcuar mbrojtjen dhe për të garantuar sigurinë në kontinent. Danimarka është gjithashtu një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës përballë agresionit rus, çka e vendos vendin në një rol kyç në politikën evropiane të sigurisë.

Megjithatë, ky vendim mbart rreziqe të konsiderueshme në planin e brendshëm. Disa masa të ndërmarra nga qeveria, si heqja e një dite pushimi zyrtar për të financuar rritjen e shpenzimeve ushtarake, kanë shkaktuar pakënaqësi te qytetarët. Ndërkohë, politika e ashpër ndaj emigracionit ka fituar mbështetje në zonat rurale dhe ka dobësuar të djathtën ekstreme, por partia ka humbur terren në qytetet e mëdha. Humbja e bashkisë së Kopenhagenit për herë të parë pas 87 vitesh ishte një goditje simbolike dhe politike.

Sipas sondazheve të fundit, Socialdemokratët pritet të dalin sërish forca e parë, por jo me shumicë të mjaftueshme për të qeverisur vetëm. Aktualisht, ata janë në koalicion me partinë qendrore Moderatët dhe me liberal-konservatorët e Venstre, por kjo aleancë mund të mos sigurojë shumicën absolute në parlamentin danez. Në këtë rast, Frederiksen mund të detyrohet të kërkojë mbështetjen e partive të majta, përfshirë të Gjelbrit dhe të majtën radikale, për të qëndruar në pushtet.

Zgjedhjet e 24 marsit pritet të jenë një provë e madhe për lidershipin e Frederiksenit. Ajo po paraqitet si një udhëheqëse e fortë në kohë sfidash gjeopolitike, por mbetet për t’u parë nëse qytetarët danezë do ta shpërblejnë këtë qasje me një mandat të ri katërvjeçar apo do të kërkojnë një drejtim tjetër për vendin.

/tvklan.al