33 të burgosur dhe paraburgosur të institucionit të vuajtjes së dënimit në Durrës, ku qëndronte edhe Altin Ndoci i cili dy ditë më parë u arratis nga spitali, janë transferuar në Fier dhe Peqin. TV Klan ka siguruar listën e të burgosurve, mes të cilëve edhe eksponentë që po hetohen nga SPAK, si Lulëzim Berisha apo Astrit Avdyli.
Transferimi i tyre vjen si pjesë e planit të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe SHKB ka ndërmarrë pas arratisjes së 39-vjeçarit, i cili prej korrikut 2020 qëndronte i paraburgosur në burgun e Durrësit.
Por kjo nuk ishte e vetmja masë e ndërmarrë, pasi gjatë së mërkurës në pranga përfunduan 8 zyrtarë të këtij burgu, të cilët dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Gjithashtu u shkarkua i gjithë zinxhiri komandues, me në krye drejtorin Indrit Cërloj, pasi nga verifikimet rezultoi se nuk ishte zbatuar procedura standarde e dërgimit të një të paraburgosuri në spital.
Ndërkohë këtë të enjte, Drejtoria e Burgjeve ka caktuar Edmond Llabanin si drejtor të komanduar të burgut të Durrësit, teksa pas shkarkimit të Indrit Cërloit, këtë institucion e drejtonte Juljan Agasi.
Nga ana tjetër, arratisja e Altin Ndocit ka sjellë probleme në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj 39-vjeçarit. Kjo për shkak se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se seancat nuk mund të zhvillohen pa marrë përgjigje nga Policia e Shtetit rreth kërkimeve që po kryhen për kapjen e tij.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 