Gianni Infantino do të përballet me konkurrencë në zgjedhjet për presidencën e FIFA-s, të parashikuara për marsin e vitit të ardhshëm.
Për herë të parë që prej vitit 2016, kreu aktual i futbollit botëror do të ketë përballë kandidatë të tjerë, pasi në dy zgjedhjet e fundit, në vitet 2019 dhe 2023, u rizgjodh pa kundërshtarë.
Në garë kundër tij është zyrtari japonez Kozo Tashima, i cili ka premtuar reforma në qeverisjen e FIFA-s dhe rritjen e transparencës në proceset e vendimmarrjes.
Kandidaturën e tij e ka shoqëruar edhe deklarata se synon të qëndrojë vetëm një mandat katërvjeçar, nëse zgjidhet president.
“Do të doja të shërbeja vetëm një mandat, për katër vjet. Gjatë kësaj periudhe dua të përqendrohem në reformimin e qeverisjes së FIFA-s, veçanërisht duke i bërë proceset e saj të vendimmarrjes më transparente. Qëllimi kryesor është të gjejmë një mënyrë për ta normalizuar FIFA-n dhe për ta rikthyer organizatën në rrugën e duhur”, tha Tashima.
Ndërkohë, një tjetër kandidat është Philippe Diallo, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, i cili ka marrë mbështetjen e UEFA-s.
Diallo ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Tashimën, me synimin për të bashkuar votat kundër Infantinos dhe për të shmangur përçarjen mes kandidatëve.
Nga ana e tij, Tashima ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun francez dhe shpreson që të dy të takohen së shpejti në Evropë.
Ai ka theksuar se ndajnë objektiva të ngjashëm për të ardhmen e FIFA-s, megjithëse bashkëpunimi do të varet nga përputhja e strategjive të tyre.
Infantino është përballur me kritika për mënyrën e drejtimit të institucionit, përfshirë çështje të debatueshme që lidhen me përpjekjet për shitjen e aksioneve në turnetë e FIFA-s.
Zgjedhjet e marsit pritet të përcaktojnë nëse ai do të sigurojë një tjetër mandat apo në krye të futbollit botëror do të vijë një drejtues i ri.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
