Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi në një dalje për mediat denoncoi aferat sipas tij të kryera nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi kritikon qeverinë për aferën e tunelit të Llogarasë dhe rolin e ministrës Belinda Balluku.
“Pamë sot zëdhënësin e Ballukut krah ambasadorit të BE. Shqiptarët panë se Rama tentoi të trajtonte edhe traktatin e funksionimit të BE-së si Tunelin e Llogarasë, duke menduar se mund të ndryshonte rregullat e BE-së si me kriteret e tenderit për tunelin. Nuk e di si u ndje Gonzato krah kryeministrit që ka numrin 2 të qeverisë të pandehur nga SPAK për tendera publikë me vlerë miliona euro. Në 31 tetor Shqipëria ka numrin 2 të qeverisë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Propaganda qeveritare për progres drejt Europës rrëzohet nga ajo që po ndodh me Ballukun”, tha Bardhi.
Ai shtoi se “dosja provon si u paracaktua kompania turke. Belinda Balluku drejton shtetin me telefon dhe mesazhe personale. Balluku emëroi personalisht Drejtorin e Rrugëve për aferën e Llogarasë. Dosja tregon si u vendosën me telefon kriteret për kompaninë që donte Rama dhe Balluku. Tenderi u vendos përpara garës. Zbulohet zinxhiri i abuzimit: nga Rama te Balluku dhe vartësit. Një kryeministër që mbron të pandehurit nuk mund të flasë për integrim europian. Rama nuk është më drejtues i qeverisë, por zëdhënësi dhe avokati i Belinda Ballukut.”
Bardhi theksoi gjithashtu se Rama tentoi të trajtonte funksionimin e BE-së njësoj si tunelin e Llogarasë, duke ndryshuar sipas interesave të tij rregullat e demokracisë europiane. “Dosja e Ballukut ekspozon mënyrën se si funksionon shteti i Edi Ramës”, tha ai.
Deputeti i drejtohet Ramës se “ai është arkitekti i korrupsionit” dhe sjell shembullin e kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa, si model i përgjegjësisë europiane.
“Ai është arkitekti i korrupsionit. Dua të jap një shembull për njeriun që sot është numri tre i Bashkimit Europian, Antonio Costa. Shqiptarët e mbajnë mend se ai u hetua për një çështje, ndërsa nuk u mor kurrë në hetim. Prokuroria përmendi emrin e tij për ta hetuar dhe ai menjëherë dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Portugalisë. Ai tha: ‘Nuk mund të njollos shtetin për shkak të figurës time.’ Sot ai është presidenti i Këshillit të Europës. Ai reagoi si një europian, dha dorëheqje,” tha Bardhi.
/tvklan.al












Botërori 2026 