Pyetja e 5 amerikanëve, SHBA i kërkon informacion SPAK-ut

Ish-shefi juridik në ministrinë e Mbrojtjes, Rezart Tërshana ishte dëshmitari i radhës që dha deklarimet e tij në Gjykatën e Posaçme lidhur me çështjen ndaj Fatmir Mediut për tragjedinë e Gërdecit.

Dëshmitarët e tjerë, mes të cilëve  ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxholli, ish-përgjegjësi ushtarak i fabrikës, Sokol Ngjeçi dhe ish-ushtaraku Besnik Dauti nuk pranuan të japin deklarimet e tyre.

Ata shfrytëzuan të drejtën për të mos dëshmuar pasi janë dënuar në procesin e parë të zhvilluar për atë tragjedi.

Në seancën e zhvilluar këtë të mërkure gjykata njoftoi gjithashtu se ka marrë përgjigje nga autoritetet amerikane lidhur me marrjen në pyetje të 5 punonjësve të kompanisë SAK mes të cilëve dhe pronarit Patrik Henry, i cili ishte kontraktuar për çaktivizimin e municionit të rëndë.

Përmes një letërporosie, autoritetet amerikane kanë kërkuar të dinë statusin e tyre penal, interesin e tyre për hetimin dhe rëndësinë e dëshmive të tyre. Në rast se këto kërkesa plotësohen më 12 Maj mund të realizohet marrja në pyetje përmes një videokonference.

Ish-ministri Fatmir Mediu pas seancës deklaroi se deri në këtë fazë asnjë dëshmitar nuk ka deklaruar ndonjë shkelje ndaj tij.

Po për këtë çështje prokuroria e posaçme kërkoi rinjoftimin e dëshmitarëve të cilët nuk paraqiten në këtë proces, mes të cilëve biznesmeni Mihal Delijorgji, ish-Shefi i Shtabit Luan Hoxha apo ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë.

Tv Klan

/tvklan.al