08 korrik 2026- Trajneri Skënder Gega dhe trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ndanë vlerësimet e tyre për ekipet që zhgënjyen dhe surprizuan më shumë në Botëror, gjatë emisionit “Kampionët e Botës” në Tv Klan.
Gjatë diskutimit në studio, Skënder Gega e cilësoi Gjermaninë si dështimin dhe zhgënjimin më të madh të turneut, ndërsa vlerësoi Marokun si surprizën e kompeticionit.
“Gjermania ishte dështimi dhe zhgënjimi më i madh. Surpriza më e mirë, siç e kemi thënë edhe këtu në studio, është Maroku. Ka bërë vërtet surprizë me të gjithë parametrat dhe mënyrën se si ka luajtur”, u shpreh Gega.
Nga ana tjetër, Alban Bushi vlerësoi paraqitjen e Turqisë, duke theksuar cilësinë e lojës së saj, edhe pse nuk e konsideroi eliminimin si dështim. Ai theksoi se Gjermania mund të konsiderohet si dështimi më i madh në Botëror.
“Mendoj se Turqia, me lojën dhe volumin që tregoi, ka zhvilluar futbollin më të bukur në këtë Botëror. Nuk e quaj dështim, por një mësim. Zhgënjimi total ishte Gjermania, për shkak të strategjisë së gabuar të trajnerit dhe një filozofie loje që nuk i shkonte aspak për shtat futbollit gjerman. Ndërsa surpriza ishte Kepi i Gjelbër”, tha Bushi.
/tvklan.al












Botërori 2026 