Dy përballje të rëndësishme të Ligës së Kombeve zhvillohen sonte në orën 20:45, me Gjermaninë dhe Greqinë në qendër të vëmendjes.

Në Allianz Arena të Mynihut, Gjermania e Jürgen Klopp përballet me Serbinë, në një sfidë ku presioni është i madh për vendasit.

Debutimi i Klopp në shtëpi nisi me zhgënjim, pas humbjes 1-0 ndaj Greqisë.

Trajneri gjerman mori përgjegjësinë për rezultatin, duke pranuar se skuadra ka nevojë për më shumë stërvitje dhe kohë për t’u konsoliduar.

Pancerat ndodhen aktualisht në zonën e rrezikut për rënien në Ligën B dhe kërkon menjëherë reagimin. Përballë do të jetë Serbia, e cila vjen pas dy humbjeve radhazi, ndaj Greqisë dhe Holandës, ndërsa në edicionin e kaluar nuk fitoi asnjë ndeshje jashtë fushe.

Klopp ka zgjedhur një grup pothuajse tërësisht të rinovuar.

Në fokus është edhe Lennart Karl, talenti i Bayern Munichut, për të cilin kjo sfidë në Allianz Arena do të ketë një shije të veçantë, pasi ka pësuar vetëm një humbje në karrierë në këtë stadium.

Serbia nuk raporton mungesa të reja, ndërsa Luka Jović rikthehet si një nga emrat për t’u ndjekur. Sulmuesi shënoi golin e tij të parë me kombëtaren pikërisht ndaj Gjermanisë, në vitin 2019.

Në sfidën tjetër, Greqia pret Holandën. Grekët kanë surprizuar në dy javët e para, me dy fitore jashtë fushe ndaj Serbisë dhe Gjermanisë, duke marrë kreun e grupit.

Tashmë synojnë një tjetër sukses, që do t’u jepte tre fitore në tri ndeshjet e para për herë të tretë radhazi në Ligën e Kombeve.

Nga ana tjeter, Holanda është e pamposhtur pas dy ndeshjeve, ne te cilat barazoi me Gjermaninë dhe më pas mposhti Serbinë 2-1.

Edhe statistikat janë në favor të tulipanëve, të cilët kanë fituar nëntë nga 11 përballjet e fundit me Greqinë, pa pësuar gol në asnjërën prej këtyre fitoreve.

Greqia nuk raporton mungesa të reja dhe pritet të mbështetet te Anastasios Douvikas, autor i golit të fitores ndaj Serbisë.

Holanda, ndërkohë, do të jetë pa Cody Gakpon, i cili mungon për shkak të dëmtimit, ndërsa në sulm pritet të ketë një rol të rëndësishëm Mexx Meerdink, autor i golave të tij të parë me kombëtaren në fitoren ndaj Serbisë. Të dyja ndeshjet zhvillohen sonte në orën 20:45.

Klan News

/tvklan.al