Situata te Portugalia nuk duket aspak e qetë. Shkak për këtë është bërë marrëdhënia mes trajnerit të ri, Jorge Jesus dhe sulmuesit Cristiano Ronaldo.

Ky i fundit nuk aktivizua asnjë minutë në ndeshjen ndaj Norvegjisë, pavarësisht se u ngrit në nxehje nga trajneri.

Pas kësaj, shpërthyen polemikat për një përplasje të mundshme mes të dyve. Për t’i shtuar edhe më shumë këto dyshime, Ronaldo ka marrë një vendim të papritur para duelit me Danimarkën.

Sulmuesi veteran u largua nga stërvitja e ekipit, duke bërë që prezenca e tij të jetë në dyshim për duelin e së enjtes.

Në lidhje me këto zëra, në konferencë foli trajneri Jorge Jesus, i cili deklaroi se është ai që merr vendimet dhe nuk ndikohet nga asnjë.

“Nuk është se kam ndonjë problem të përgjigjem, por fokusi është tërësisht te Danimarka. Ndihem sikur jemi këtu për të luajtur një miqësore… Nuk pati asnjë incident me Ronaldon. E kam shpjeguar tashmë pse lindi kjo situatë. Do ta shpjegoj përsëri. Nuk kam problem t’i adresoj këto çështje. Kam pasur shumë gjatë gjithë karrierës sime. Por tani doni ta bëni një incident…

I thashë Ronaldos që nuk do të luante këto dy ndeshje. Gjatë ndeshjes, mendova se mund të kisha nevojë për të, kështu që e bëra të ngrohej. Dhe pastaj nuk e lashë të hynte. Çdo lojtar që rri aty duke u ngrohur për 20 ose 30 minuta dhe pastaj nuk hyn në fushë nuk është i lumtur. Edhe më shumë Ronaldo.  Ky është rregulli. Të drejtat janë të barabarta, dhe si trajner, vendosa që ai të mos hynte në fushë.

Unë jam trajneri dhe kam vendosur të mos e aktivizoj. Nëse më duhet për gjysmë ore, ai do të luajë gjysmë ore, përndryshe nuk do të luajë. Asnjë lojtar nuk do të më ndryshojë kurrë mendjen për këtë, as ai, askush tjetër në futboll, madje as një president.

Më detyruan të flas me Ronaldon për një çështje që as nuk ishte problem. Ka aq shumë diskutime për këtë në Portugali saqë duhet të flasim, por nuk e kuptoj çfarë po ndodh. Nuk kishte asgjë për të folur. Ajo për të cilën folëm është ajo që tha ai në konferencën për shtyp. Ai tha: ‘Jam këtu që ju të vendosni. Nëse doni që unë të luaj, do të luaj. Nëse doni që unë të shkoj në tribuna, do të iki’. Presidenti erdhi, natyrisht, ai duhet të jetë këtu me ekipin. Duke dëgjuar se çfarë po thuhej në Portugali, ai donte të dinte se çfarë kishte ndodhur. Por pas darkës ne e kishim zgjidhur tashmë çështjen”, tha Jesus.

/tvklan.al