Pas 7 muajsh “zvarritje”, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Tanimë, nis procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Berisha ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e “korrupsionit pasiv” lidhur me këtë dosje. Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Të njëjtat akuza edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për pastrim parash.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike dhe të motivuara nga kryeministri Edi Rama.

Ai ka deklaruar se është një i përndjekur politik dhe se po sulmohet për shkak të rolit të tij opozitar. Edhe dhëndri i Sali Berishës i ka quajtur akuzat “sulme politike”.

Më herët ditën e sotme gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës për të shpallur të pavlefshme vendimet e gjyqtares Irena Gjoka. Ata pretendojnë se ajo ka fshehur një vendim të Gjykatës së Janinës që e ka dënuar atë e për pasojë edhe vendimet e saj nuk janë të vlefshme.

Gjokutaj: Mungon fakti penal, vendimet e Irena Gjokës të pavlefshme

Në një prononcim për gazetarët, avokati Genc Gjokutaj theksoi se ky vendim u mor në kushtet kur mungon fakti penal.

“Sot paraqitëm me shkrim kërkimin për pavlefshmëri për të gjitha aktet, sepse ishim koshientë dhe të bazuar në ligj. Nuk kishim hapësirë tjetër ku t’i kërkonim këto pavlefshmëri. Irena Gjoka, është vërtetuar se në kohën e vendimmarrjes së saj për këtë çështje, nuk ka pasur kushtet për të qenë gjyqtare. Automatikisht vendimi bëhet i pavlefshëm. Këtë kërkesë na e rrëzoi pa e argumentuar. Ne nuk kemi kërkuar gjykim të shkurtuar, do të ecet me gjykim të zakonshëm”, deklaroi ai.

“Nuk dijmë ku të gjejmë një shpjegim mes qartjes së gjyqtarit dhe atij Kodit të Procedurave. Zoti Berisha do jetë prezent në ato seanca që do jetë e domosdoshme, por në seanca me debat procedurial jo”, përfundoi Gjokutaj.

/tvklan.al