Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) ka pezulluar sot, 20 nëntor, nga detyra zv.kryeministren e vendit e njëkohësisht Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Është caktuar dhe “ndalim i daljes së saj jashtë vendit”, në sajë të hetimeve për lotin e katërt të Unazës së Madhe.

Siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, vendimi është dhënë nga gjyqtari Erjon Çela, ndërsa masën e ka kërkuar prokurori Dritan Prençi.

Ndërkohë, është caktuar masa “arrest në shtëpi” për dy zyrtarë të tjerë, kreun e ARRSH-së dhe drejtorin e KESH, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”.

Ligji parashikon që seanca për komunikimin e masave të sigurisë, të zhvillohet brenda 5 ditëve, që nga shpallja e vendimit.

Teksa pritet njoftimi zyrtar nga ana e SPAK, gjykata ka bërë me dije paraprakisht:

Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masat e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës.

Kujtojmë se Balluku u mor e pandehur nga SPAK më 31 tetor 2025, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në bashkëpunim”, lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Në prononcimin e saj të shkurtër për mediat atë ditë, Balluku u shpreh:

Në respekt të plotë të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën për një çështje nën hetim, si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe si zyrtare, e shoh si një proces i cili jam shpresëplotë që do bazohet mbi transparencë, llogaridhënie dhe drejtësisë së pandryshueshme tek e cila besoj!

Ditën e djeshme, 19 nëntor, nga foltorja e Kuvendit, Balluku theksoi se kurrë nuk do akuzojë apo kërcënojë organet e drejtësisë.

“Dua të them disa fjalëve që ua kam borxh mijëra qytetarëve, jo për të kompensuar baltën, aludimet e gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna.

Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje e as kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht, as lëvdata, pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re, produkt i vullnetit të PS-së dhe Ramës është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta, me pikat e saj të forta, por si gjithçka e re po konsolidohet dita-ditës.

Nuk do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon.

Nuk do prononcohem kurrë për çështje nën hetim pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo!

Por, unë si gjithë kolegët e mi, mbështesim reformën në drejtësi, edhe kur prekemi personalisht pasi ndryshe nga sa thoni, PS-ja është një formacion politik serioz, i vetmi në Shqipëri, ku fjala e secilit dëgjohet e ka peshë, ndaj në respekt të plotë të saj nuk kam asnjë koment”, u shpreh Balluku të mërkurën.

Postin si ministre Balluku e mori në janar të vitit 2019, ndërsa si numri dy i kabinetit qeveritar u caktua në 2022-in.

Pas publikimit të këtij lajmi, ministrja u pa duke ngjitur shkallët e Kryeministrisë, ku ndodhet prej më shumë se 2 orësh. Ende nuk dihet nëse ka zhvilluar takim me kreun e qeverisë, Edi Rama.