Masat e sigurisë marrë për dërgimin e Kelmend Balilit në gjykatë nuk përputheshin me etiketimin e tij si “Eskobari i Ballkanit”. Ai doli nga Drejtoria e Policisë së Tiranës vetëm me një furgon policie dhe pa makina të tjera shoqëruese.

Balili hyri tek Krimet e Rënda në 13:40 minuta dhe në orën 14:00 ishte në sallë ku do të njihej me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ marrë në mungesë më shumë se dy vite më parë.

46-vjeçari u shfaq i qetë dhe në momente të caktuara i buzëqeshur. Qëndrim që ndryshonte në varësi të akuzave. Interesi i medias për këtë rast ka qenë i jashtëzakonshëm.

Në sallë, Kelmend Balili u njoh me 4 akuzat që rëndojnë mbi të; trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në këtë grup, mosdeklarim e fshehje pasurie si dhe pastrim parash. Konkretisht akuzohet për një episod kur nga Saranda për në Greqi janë trafikuar 670 kilogramë kanabis. Në përgjimet e prokurorisë greke është kapur një person me emrin “Keli”, i cili përdor një numër grek. Për hetuesit e shtetit fqinj, “Keli” është Kelmend Balili.

Por kjo gjë është hedhur poshte nga ai dhe avokatët në sallën e gjyqit. Pavarësisht pretendimeve, gjykatësja Miliana Muça vendosi ta lërë në qeli 46-vjeçarin. Brenda 8 ditësh do të zhvillohet seanca paraprake ku do vendoset nëse dosja do kalojë për gjykim apo do t’i kthehet prokurorisë për veprime të mëtejshme. Për avokatin Theodhori Sollaku, akuzat ndaj klientit të tij janë të pabaza.

Kelmend Balili u vetëdorëzua dy ditë më parë pas dy vite e 6 muajsh arrati. Vetëdorëzimi erdhi pas disa ditë negociatash mes familjarëve të Balilit dhe Policisë së Shtetit.

Tv Klan