Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg pa afat Ylli Zallën, të arrestuar dy ditë më parë nga policia pas disa muajsh në arrati, si posedues i një arsenali armësh në fshatin Zall të Fushë-Krujës.

Para gjykatës, Zalla mohoi akuzat duke thënë se armët e sekuestruara nuk janë të tijat dhe se nuk kishte lidhje me atentatin në Rinas. Ai po ashtu deklaroi se ishte vetëdorëzuar për të sqaruar pozicionin e tij.

Avokati i 49-vjeçarit, Dritan Gina, kërkoi një masë më të lehtë sigurie duke argumentuar se klienti i tij nuk paraqet rrezikshmëri dhe se dorëzimi i tij ishte i vullnetshëm për të sqaruar akuzat.

Zalla u arrestua pas 10 muajsh nga momenti që ishte shpallur në kërkim, pasi gjatë kontrolleve në Fushë-Krujë, në kuadër të hetimeve për vrasjen në Rinas të Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, në banesën e tij u gjet një arsenal armësh.

Edhe në dy kontrolle të tjera me qëllim arrestimin e tij, policia thotë se ka gjetur armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera të paligjshme.

Tv Klan

/tvklan.al