Këngëtari amerikan Chris Brown është detyruar nga gjykata t’i paguajë ish-partneres së tij, Diamond Brown, 12 mijë dollarë në muaj për vajzën e tyre katërvjeçare, Lovely.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People, përveç pagesave mujore, këngëtari duhet të shlyejë edhe detyrimet e prapambetura që nga korriku i kaluar, si dhe të paguajë 25 mijë dollarë brenda një jave. Ai ka rënë dakord gjithashtu të mbulojë 55 mijë dollarë për shpenzimet ligjore të ish-partneres.
Kjo është një marrëveshje e përkohshme, e cila do të jetë në fuqi deri në arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes palëve. Përveç Lovely, Brown ka edhe tre fëmijë të tjerë: Royalty, 12 vjeçe, Aeko, gjashtë vjeç, si dhe një djalë që ka ardhur në jetë në fillim të këtij viti.
Vendimi vjen në një periudhë kur këngëtari është përballur me disa probleme ligjore. Në tetor, ai u dënua me tetë muaj burg për përfshirjen në një përleshje të dhunshme në një klub nate në Londër, në vitin 2023. Megjithatë, dënimi u pezullua për 12 muaj, duke e shpëtuar nga burgu, për sa kohë respekton kushtet e vendosura nga gjykata.
Ndërkohë, në korrik, Brown u detyrua të paguante 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim për ish-punonjësen e tij të shtëpisë, Maria Avila, e cila u sulmua nga qeni i tij në vitin 2020. Sulmi i shkaktoi asaj dëmtime të rënda dhe të përhershme në fytyrë e dorë, si dhe probleme me lëvizjen.
Edhe dy familjarë të saj përfituan dëmshpërblim: motra e saj mori 885 mijë dollarë, ndërsa bashkëshorti 50 mijë dollarë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
