Këngëtari amerikan Chris Broun është dënuar me 8 muaj burg me kusht, për sulmin ndaj producentit muzikor Abraham “Abe” Diau në një klub nate në Londër. Artisti i njohur i muzikës R&B nuk do të vuajë dënimin me burg, përveç rastit kur kryen një tjetër vepër penale gjatë periudhës së pezullimit të dënimit.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 19 shkurtit 2023, në klubin privat “Tape”, në zonën Mayfair të Londrës. Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, Broun goditi Diau-në disa herë me një shishe qelqi tequila, duke e qëlluar dy herë në kokë dhe më pas në shpatull. Sulmi i shkaktoi ‘viktimës’ dëmtime që kërkuan trajtim spitalor.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, treguan momentet kur këngëtari goditi producentin me shishe. Gjykatësi Tony Baumgartner e cilësoi përdorimin e shishes për goditje në kokë si veçanërisht të rrezikshëm, duke theksuar se dhuna ishte intensive dhe mund të kishte shkaktuar dëmtime shumë më të rënda.

“Ky nuk ishte një akt dhune i planifikuar, por gjithsesi ishte një akt i rëndë dhune nga dy persona në një klub nate të mbushur me njerëz”, deklaroi gjykatësi gjatë shpalljes së vendimit. Ai shtoi se një sjellje e tillë krijonte rrezik jo vetëm për të dëmtuarin, por edhe për personat e tjerë që ndodheshin pranë.

Për të njëjtën ngjarje, trajneri vokal i Broun, reperi Omololu Akinlolu, u dënua me katër muaj burg, gjithashtu me kusht. Të dy u urdhëruan të paguajnë edhe nga 1.500 paund për shpenzimet gjyqësore, pasi kishin pranuar fajësinë për veprën penale të përleshjes së dhunshme.

Gjatë arsyetimit të vendimit, gjykatësi theksoi se fama, suksesi dhe pozita profesionale e Broun nuk i japin atij të drejtën për trajtim të privilegjuar, pasi ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Megjithatë, gjykata mori parasysh pranimin e fajësisë, respektimin e kushteve të lirimit me kusht dhe ndikimin që burgosja do të kishte te fëmijët e këngëtarit.

Gjykatësi vlerësoi gjithashtu se rreziku që Broun të kryejë vepra të tjera penale është i ulët. Vendimi u shpall pasi Broun dhe Akinlolu kishin pranuar fajësinë në Gjykatën e Southuark në muajin korrik.

/tvklan.al