Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur njëzëri të aplikojë masë të përkohshme, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve dhe zhvillimin e procedurave për formimin e qeverisë së re. Vendimi, i marrë ex officio dhe mbi kërkesën e deputetëve të Listës Serbe, hyn në fuqi më 5 shtator dhe zgjat deri më 30 shtator.
Sipas gjykatës, masa është në interes publik dhe synon të shmangë “rreziqe ose dëme të pariparueshme”. Kërkesa u dorëzua më 30 gusht nga nëntë deputetë të Listës Serbe dhe deputeti goran Adem Hoxha, lidhur me votimin për nënkryetarin serb të Kuvendit.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë, gjykata theksoi se, pa vlerësuar ende dyshimet për shkelje kushtetuese gjatë seancës së 30 gushtit, kur kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, shpalli konstituimin pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, është e domosdoshme të ndalohen të gjitha veprimet drejt zgjedhjes së qeverisë dhe vazhdimit të punës parlamentare.
Në seancën e 30 gushtit, përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare, por procesi u bllokua për nënkryetarin serb. Lista Serbe propozoi Sllavko Simiçin, i cili nuk mori 61 votat e nevojshme as pas tri raundeve. Pas refuzimit për të propozuar kandidat tjetër, Basha hodhi short sipas Rregullores, duke përfshirë edhe Nenad Rashiç, ministër në detyrë nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. As Rashiç nuk u votua.
Pas dështimit të tri raundeve për të zgjedhur nënkryetarin serb, Basha mbylli seancën dhe shpalli Kuvendin të konstituuar. Ky veprim u kundërshtua nga partitë opozitare, ndërsa LVV-ja këmbëngul se Kuvendi është konstituuar.
Vendimi i Kushtetueses u publikua dy ditë para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku pritet të rikonfirmohet Albin Kurti si mandatar për kryeministër. Seanca konstituive nisi më 15 prill, ndërsa pas muajsh bllokadë, më 26 gusht, Dimal Basha u zgjodh kryetar Kuvendi.
Nënkryetarët nga partitë shqiptare u zgjodhën përmes votimit të përbashkët: Albulena Haxhiu (LVV), Vlora Çitaku (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK).
Ngërçi politik pason rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku asnjë parti nuk fitoi shumicën për të formuar institucionet. LVV-ja fitoi 48 ulëse, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9, koalicioni AAK-Nisma 8, dhe 11 ulëse të tjera u ndanë për pakicat.
/tvklan.al












Botërori 2026 
