Gjykata Kushtetuese caktoi disa rregulla për mënyrën se si prokuroritë dhe gjykatat duhet të trajtojnë të dhënat e nxjerra nga një pajisje telefonike, duke i barazuar ato me të dhënat personale dhe korrespondencën.

Fshehtësia e kësaj të fundit është e garantuar nga Kushtetuta dhe sekuestrimi bëhet vetëm me vendim gjykate. Për këtë, mënyra se si administrohen të dhënat e një celulari, sipas Gjykatës Kushtetuese, kërkon garanci të mëdha.

Kështu, këtë të martë, teksa pranoi pjesërisht kërkesën e qytetares Onejda Ymeraj, se i ishte cenuar nga SPAK liria dhe fshehtësia e korrespondencës, në sekuestro dhe më pas mënyrën se si ishin administruar të dhënat, Kushtetuesja caktoi 3 rregulla:

“Pavarësisht sekuestrimit të pajisjes apo të vetë korrespondencës në kushtet e urgjencës si rast përjashtimor, Gjykata thekson se hapja apo aksesimi i saj duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të cilat përfshijnë:

1-Ndalimin e veprimeve të hyrjes, hapjes, nxjerrjes, inspektimit, përpunimit të të dhënave personale dhe të korrespondencës.

2-Mbylljen e pajisjes/sendit në të cilën ndodhet korrespondenca apo të dhënat personale me vulë sigurie kur është e mundur në prani të individit dhe/ose avokatit të tij, duke u mbajtur procesverbal për këtë qëllim.

3-Ndalimin e bërjes së kopjeve të të dhënave personale dhe/ose korrespondencës pa autorizim të gjykatës.”

Autorizimi i gjykatës do të jepet pas një seance me të dyja palët prezent, përdoruesin e pajisjes telefonike dhe prokurorinë. Kjo e fundit duhet të caktojë qartë dhe brenda objektit të hetimit se cilat mesazhe, dokumente, foto apo çdo material tjetër kërkohen për përdor.

Prej nisjes së punës, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar mbi 1100 celularë dhe ka përdorur të dhënat e nxjerra prej tyre në dhjetra hetime të rëndësishme të lidhura me dosjet e korrupsionit.

Klan News

/tvklan.al