19 gusht 2026 – Gjykata e Tiranës ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Ylli Zallën. Ky i fundit një personazh shumë i kërkuar nga drejtësia, i cili u prangos më 17 gusht pas 10 muajsh në arrati.

Ylli Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025 i dyshuar se ka furnizuar me armë e arsenal autorët e atentatit në Rinas. Pas kësaj ngjarje të rëndë ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, në banesën e Zallës në Fushë-Krujë, policia zbuloi një arsenal armësh tipik ushtarak çka nxiti dyshime për lidhje të tij me autorët e masakrës apo grupe kriminale.

Avokati mbrojtës i Zallës, Dritan Gina ka kundërshtuar ‘arrestin me burg’ të vendosur nga Gjykata duke kërkuar masë më të lehtë sigurie, me argumentin se klienti i tij nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe se nuk ka prova konkrete që e implikojnë atë në ngjarje kriminale.

“Ylli Zalla nuk ka asnjë rrezikshmëri të lartë si person apo se vepra nuk ka rrezikshmëri të veçantë. Së pari, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, në ferra, pa asnjë rregull apo masë për ruajtjen e tyre të paprekura apo të ambalazhuara. Së dyti, disa nga kapsollat detonatore nuk kanë qenë të afta të bëjnë plasjen, ndërsa disa bomba nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur.

Së treti, armët janë prodhime të vjetëruara, rreth 50-vjeçare, prodhime kineze të vitit 1982. Madje edhe sasia e kanabisit e sekuestruar ka qenë nën efektin e agjentëve atmosferikë, duke mos pasqyruar asnjë lloj kujdesi nga ana e të arrestuarit.

Në lidhje me rrezikshmërinë e personit, Ylli Zalla nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi ai nuk është i përfshirë në asnjë ngjarje kriminale dhe nuk ka prova që materialet që i janë sekuestruar në ferrat pas pjesës së oborrit të jenë përdorur në ngjarje të tjera apo që ai vetë të ketë marrë veprime për shitjen e lëndëve narkotike.

Në këtë drejtim, me interes të veçantë të theksohet se Ylli Zalla është dorëzuar vetë. Është e vërtetë që policia është angazhuar me dron dhe me efektivë të shumtë, por kështu ajo ka realizuar çdo operacion ndaj Ylli Zallës për ta kapur dhe nuk ka mundur dot ta kapë atë. I vetmi element që solli sukses në operacionin e policisë ishte dëshira e Yllit për t’u dorëzuar për të sqaruar pozicionin e tij.

Videot publike para shtëpisë së tij e tregojnë më së shumti këtë gjë. Madje, ai vetë ka thirrur me zë një person që i është dukur si pjesëtar i forcave RENEA dhe i është prezantuar, duke u dorëzuar kësisoj. Për këto arsye, u kërkua një masë më e lehtë se arresti në burg, që është kërkuar nga prokuroria”, tha avokati.

Ndërkohë, Ylli Zalla ka theksuar para hetuesve se është vetëdorëzuar dhe se njerëz nga zona e tij duan ta eliminojnë fizikisht.

“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin. Isha aty afër. Policia e Shtetit, Policia e Tiranës dhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, mësohet se ka deklaruar ai.

Ai u arrestua një ditë pasi në shtëpinë e tij iu vendos një sasi lënde plasëse. Ai u arrestua rreth 500 metra larg banesës së tij ndërsa ishte i armatosur, por nuk ka bërë rezistencë. Disa operacione janë zhvilluar për arrestimin e Zallës, por policia nuk ka arritur ta arrestojë më parë.

Zalla është arrestuar më herët për posedim të municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse. Po ashtu ai rezulton i skeduar edhe për rekrutim të shqiptarëve që janë dërguar për të luftuar me ISIS-in.

/tvklan.al