Policia e Elbasanit ka goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Vashaj të Peqinit, duke çuar në pranga 5 persona.

Sipas asaj që njofton Policia bëhet e ditur se të arrestuarit janë S. B., 62 vjeç dhe R. B., 23 vjeç (babë e bir) si dhe në pranga gjithashtu kanë rënë edhe K. Sh., 58 vjeç, M. Sh., 34 vjeç dhe E. Sh.,19 vjeç (babë e bir dhe nipi).

Blutë njoftojnë se gjithashtu janë sekuestruar bimë narkotike kanabis në proces tharjeje, lëndë narkotike kanabis e ndarë në doza, një shumë e madhe parash në lekë, euro e paund të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, dhe një armë e ftohtë (thikë).

“S. B., 62 vjeç dhe R. B., 23 vjeç (babë e bir), pasi gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve dhe përreth saj janë gjetur 150 bimë narkotike shumica të kultivuara në tokë dhe një pjesë e bimëve në proces tharjeje, një sasi kanabisi gati për shitje, 2.600.000 lekë të rinj, 3890 euro dhe 6770 paund, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale; K. Sh., 58 vjeç, M. Sh., 34 vjeç dhe E. Sh.,19 vjeç (babë e bir dhe nipi), pasi në ambientet rreth banesës së shtetasit K. Sh., janë gjetur disa bimë kanabis në proces tharjeje, si dhe një sasi kanabis gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan./tvklan.al