Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka marrë përsipër sulmin me dronë ndaj anijes ruse “Merkury”, e cila u fundos në brigjet e Libisë. Ai e cilësoi operacionin si një “përgjigje shembullore ukrainase ndaj luftës së Rusisë”.
Në një deklaratë të hënën, Zelensky bëri të ditur se forcat ukrainase goditën edhe një anije të dytë ruse, MV “Angara”, për të cilën pretendoi se përdorej nga Moska për transportin e armëve.
“Luftëtarët tanë vendosën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të armikut për t’iu kundërvënë sulmit, korveta ruse Merkury u fundos. Është një nga anijet e tyre më të reja, e vënë në shërbim në vitin 2023, gjatë luftës në shkallë të plotë. Një helikopter luftarak Ka-27 u shkatërrua gjithashtu së bashku me korvetën. Objektivi ynë i dytë ishte anija ruse e ngarkesës së thatë MV ANGARA, të cilën armiku e përdori për të transportuar armë“, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Zelenskyt.

Sipas presidentit ukrainas, anija luftarake “Merkury”, një nga më të rejat në flotën ruse, u fundos pasi ndaj saj u lëshuan shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë. Gjatë sulmit u shkatërrua edhe një helikopter luftarak i tipit KA-27.
Zelensky deklaroi se Ukraina do të vijojë operacionet në zona të caktuara detare si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus. Ai theksoi gjithashtu se vendi do të vazhdojë të zhvillojë armët e veta. Sa i përket anijes së dytë, MV “Angara”, autoritetet shëndetësore në lindje të Libisë njoftuan se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.
Autoritetet në lindje të vendit konfirmuan se shpërthimi ndodhi në bordin e një anijeje ruse të ankoruar në portin e Bengazit. Sipas tyre, anija ishte nisur drejt Rusisë dhe kishte ndaluar në port për furnizim me karburant dhe pajisje. Ata thanë se dyshohet se ajo ishte goditur nga dronë.
Ndërkohë, burime lokale i thanë Al Jazeera-s se ende nuk dihet numri i shtetasve libianë dhe rusë që mund të kenë humbur jetën nga sulmi. Anija ndodhej e ankoruar brenda portit civil të Bengazit. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi ka shprehur shqetësim të thellë për sulmet dhe ka kërkuar një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent.
“Libia nuk mund ta përballojë dhe nuk duhet të kthehet në një fushëbetejë për konfliktet e huaja”, thuhet në reagimin e misionit të OKB-së.
Eksperti i sigurisë dhe mbrojtjes në Lindjen e Mesme, Tallha Abdulrazaq, tha për Al Jazeera-n se shërbimet ukrainase të inteligjencës mund të kenë organizuar sulmin ndaj portit libian.
Ai përmendi raportimet e bëra në fund të vitit të kaluar për një marrëveshje të mundshme mes shërbimeve ukrainase të inteligjencës dhe qeverisë në Tripoli, që parashikonte praninë ushtarake dhe të inteligjencës ukrainase në vend, në këmbim të ekspertizës ushtarake të Kievit.
Administrata në lindje të Libisë nuk ka identifikuar autorët e sulmit, por ka theksuar se vendi nuk është palë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Libia, një vend i pasur me naftë, mbetet e ndarë mes qeverisë me seli në Tripoli dhe një administrate rivale në lindje, që prej rrëzimit të Muammar Gaddafit në vitin 2011.












Botërori 2026 
