Zgjedhjet e 11 majit cilësohet një kapitull i mbyllur nga Komisioni Europian që tanimë mendon se palët politike duhet të ulen në Parlamentin e ri dhe të hartojnë një ligj elektoral ku të integrohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Ambasadori Silvio Gonzato në përgjigje të interesit të gazetarëve, pas një takimi në bashkinë e Korçës thotë se përgjegjësinë për të arritur një reformë gjithëpërfshirëse e ka shumica që është rikonfirmuar me një mandat të qartë parlamentar.

“Është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe parlamenti të miratojë një reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE/ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për tu futur në BE”, shprehet Gonzato.

Ambasadori i referohet raportit të ODIHR-it dhe deklaratës se drejtuesëve të lartë të BE kur pyetet për qëndrimin e tij lidhur me standardet e zgjedhjeve të 11 majit.

“Kemi një raport të OSBE/ODIHR i cili pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje ndërkohë që i ka njohur me standardet. Ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike, por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar nga raporti i OSBE/ODIHR ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen”, thekson Gonzato.

Gonzato vlerëson bashkëpunimin e  KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të luftuar krimin zgjedhor.

“Dua të vlerësoj Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, që do të thoja ka qenë një bashkëpunim ekzemplar”, thotë Gonzato.

Sa i takon qëndrimit të opozitës që nuk njeh rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit ambasadori është i mendimit se paralelisht me adresimin e pretendimeve në organet kompetente çdo forcë parlamentare duhet të mbaj parasysh rëndësinë që ka bashkëpunimi për reformat integruese të vendit.

“Çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka patur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim”, tha ambasadori.

Tv Klan

/tvklan.al