Gordon Ramsay është nderuar me një yll në Hollywood, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij shumëvjeçar në gastronomi dhe televizion.
Në moshën 60-vjeçare, shefi i famshëm shkruan historinë si kuzhinieri i parë britanik dhe i katërti nga bota e gastronomisë që merr këtë vlerësim prestigjioz.
Në ceremoninë e organizuar në Hollywood, Ramsay u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Tana Ramsay, dhe vajza Tilly. Mes personazheve që mbajtën fjalime në nder të tij ishin aktori Joel McHale dhe Lisa Vanderpump, me të cilën ai bashkëpunon në emisionin televiziv “Gordon Ramsay’s Food Stars”.
I njohur për temperamentin e tij shpërthyes dhe komentet e drejtpërdrejta në emisionet e gatimit, këtë herë Ramsay nuk i fshehu emocionet.
“Jam sinqerisht pa fjalë. Është shumë e rrallë që të më ndodhë diçka e tillë”, u shpreh ai, duke shkaktuar buzëqeshje te të pranishmit.
Më pas, me humorin karakteristik, ai shtoi: “Ju betohem, u zgjova këtë mëngjes dhe mendova: Dreqi e mori, po ndodh vërtet!”.
Gjatë fjalimit, Ramsay foli edhe për pasionin e tij për kuzhinën, duke theksuar se ndihet me fat që çdo ditë ka mundësinë të bëjë atë që ka ëndërruar gjithmonë.
“Jam thjesht shefi më me fat në planet, sepse çdo ditë kam mundësinë të bëj atë që kam ëndërruar. Të drejtoj një kuzhinë, një restorant dhe njerëz të talentuar, duke i ndihmuar të arrijnë majat. Ky është një nder i madh për mua”, deklaroi ai.
Ai nuk la pa përmendur as yllin e sapomarrë, duke bërë shaka se do të kthehet çdo javë në Bulevardin e Famës për ta lustruar.
Përtej arritjes profesionale, një moment i veçantë në ceremoninë e tij ishte edhe lajmi për familjen. Shefi britanik zbuloi se familja Ramsay së shpejti do të zgjerohet, pasi ai dhe bashkëshortja e tij, Tana, do të bëhen gjyshër për herë të parë.
“Familja Ramsay po rritet. Brenda pak ditësh do të mirëpresim nipin ose mbesën tonë të parë”, tha ai i emocionuar.
Vajza e tij, Holly Ramsay, kishte bërë të ditur në muajin qershor, përmes një postimi në Instagram, se ishte në pritje të fëmijës së saj të parë me bashkëshortin, notarin Adam Peaty.
Ramsay tregoi gjithashtu se afrimi i ditës së lindjes kishte shkaktuar pak shqetësim në familje, pasi ai duhej të udhëtonte drejt Los Angeles për ceremoninë.
“Shqetësoheshim mos Holly i fillonte lindja. Tana më pyeti: ‘A duhet të kthehesh ti apo të kthehem unë?’. Dhe unë iu përgjigja: ‘Jo, jo, silleni këtu me avion. Do të lindë në ajër’”, tregoi ai me humor.
Në fund të fjalimit, Ramsay falënderoi një nga një fëmijët e tij, duke përmendur edhe ata që nuk mundën të ishin të pranishëm në ceremoni.
Ai përmendi djalin Jack, i cili shërben në Forcat e Armatosura britanike dhe nuk mundi të merrte pjesë, si dhe vajzën Megan, e cila punon si police.
Një falënderim të veçantë rezervoi edhe për dy djemtë e vegjël, Jesse dhe Oscar, të cilët, siç u shpreh ai, i mbajnë të rinj çdo ditë, si dhe për vajzën Tilly, e cila ishte pranë tij në këtë moment të rëndësishëm.
/tvklan.al












Botërori 2026 
